Në nisje të sesionit të ri parlamentar, në fjalën e saj të mbajtur në Konferencën e Kryetarëve, nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Klodiana Spahiu e vuri theksin në nevojën e bashkëpunimit mes maxhorancës dhe opozitës për të plotësuar të gjithë kuadrin ligjor në përputhje me axhendën evropiane të vendit tonë.

“Asnjë palë nuk mund t’i realizojë e vetme. Duhet bashkëpunim. Dhe dua t’u kujtoj kolegëve të opozitës se katër muajt e sesionit të kaluar kanë qenë shumë të rëndësishëm, sepse data 17 nëntor është një datë me rëndësi të veçantë për të gjithë ne, për të 140 deputetët dhe është një obligim shumë i madh dhe një përgjegjësi që na takon të gjithëve”,– tha ndër të tjera nënkryetarja Spahiu.

Në të njëjtën kohë, ajo kërkoi nga opozita të mos përdorë më gjuhën e shpifjeve dhe baltosjeve jo vetëm ndaj përfaqësuesve të PS-së, por mbi të gjitha ndaj familjarëve të tyre.

“Ngjarja e ndodhur para dy ditësh, një shpifje tërësisht e sajuar ndaj kryetarit të Grupit të Partisë Socialiste, ishte shumë e rëndë jo vetëm për të dhe familjarët e tij, por për të gjithë ne. Sepse del një kryetar opozite që thotë që është filani, një gjë sot dhe nesër thotë se nuk ishte ashtu. Ju lutem, hiqni dorë nga këto metoda. Janë të turpshme dhe na rëndojnë të gjithëve. Nuk rëndojnë vetëm Kryetarin e Grupit të PS-së, por çdo deputet të Parlamentit të Shqipërisë.

Ne jemi këtu për t’u përballur politikisht me njëri-tjetrin, por historinë e familjarëve duhet ta mbyllim, sepse është e turpshme dhe nuk na nderon. Duhet të mendojmë se si ta përshpejtojmë punën dhe si të përmbushim detyrimet tona.”- tha Spahiu.

Fjala e plotë:

Pa dyshim që do të ishte shumë më mirë nëse qasja do të ishte ndryshe dhe nëse do të flisnim me realitetin për atë që ka ndodhur gjatë këtyre katër muajve: çfarë axhende ka kaluar Parlamenti dhe cilat kanë qenë objektivat e realizuara, sepse nuk kanë qenë pak, kanë qenë katër muaj krejtësisht të ndryshëm, pasi Parlamenti ka punuar, së bashku me kolegët e opozitës, dhe sinqerisht nuk arrij ta kuptoj një qasje të tillë, sepse me fakt në këtë sesion ne kemi pasur tre komisione të reja, të kërkuara nga vetë opozita në njërin prej tyre, dhe padyshim që këto komisione i kanë dhënë një vlerë tjetër rolit të Kuvendit dhe rolit të deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë.

Kryetari i Grupit të Partisë Socialiste renditi një sërë ligjesh të miratuara, të cilat janë pjesë e axhendës europiane, dhe kjo që ne na obligon për një intensitet më të lartë pune, jo vetëm nga ne, por edhe nga stafi, nga të gjitha drejtoritë, dhe veçanërisht nga Drejtoria e Integrimit. Viti 2026 do të jetë një vit shumë i ngjeshur pune, dhe me siguri do të ketë më shumë projektligje që mbështesin fort agjendën europiane.

Pyetja është: a do të bashkëpunojmë? A do të jetë fryma e bashkëpunimit për të mirën e të gjithë shqiptarëve? Unë këtë nuk po e shoh nga fjalët e kolegëve të opozitës në fillim të këtij sesioni të ri, megjithatë, unë uroj dhe shpresoj që të kemi një qasje më ndryshe.

Uroj dhe shpresoj që të gjitha rekomandimet të meren në konsideratë dhe gjetjet e raportit janë detyrë e jona, e të gjithëve së bashku. Asnjë palë nuk mund t’i realizojë e vetme. Duhet bashkëpunim. Dhe dua t’u kujtoj kolegëve të opozitës se katër muajt e sesionit të kaluar kanë qenë shumë të rëndësishëm, sepse data 17 nëntor është një datë me rëndësi të veçantë për të gjithë ne, për të 140 deputetët dhe është një obligim shumë i madh dhe një përgjegjësi që na takon të gjithëve.

Nëse në seancat e ardhshme parlamentare do të kemi një numër të konsiderueshëm projekligjesh për të kaluar, një numër i madh prej tyre lidhen me axhendën europiane. Ajo që unë nuk jam dakord të vazhdojë, janë akuzat dhe baltosjet, të cilat shpeshherë ndodhin jo vetëm ndaj nesh, por edhe ndaj familjarëve tanë.

Ngjarja e ndodhur para dy ditësh, një shpifje tërësisht e sajuar ndaj kryetarit të Grupit të Partisë Socialiste, ishte shumë e rëndë jo vetëm për të dhe familjarët e tij, por për të gjithë ne. Sepse del një kryetar opozite që thotë që është filani, një gjë sot dhe nesër thotë se nuk ishte ashtu. Ju lutem, hiqni dorë nga këto metoda. Janë të turpshme dhe na rëndojnë të gjithëve. Nuk rëndojnë vetëm Kryetarin e Grupit të PS-së, por çdo deputet të Parlamentit të Shqipërisë.

Ne jemi këtu për t’u përballur politikisht me njëri-tjetrin, por historinë e familjarëve duhet ta mbyllim, sepse është e turpshme dhe nuk na nderon. Duhet të mendojmë se si ta përshpejtojmë punën dhe si të përmbushim detyrimet tona.

Dua të theksoj edhe një herë rëndësinë e punës së komisioneve, sic është ai i të drejtave të njeriut, komisioni i drejtuar nga zoti Xhafaj, që ne të punojnë intensivisht për pesë pikat kryesore, veçanërisht të atyre që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, për të punuar intensivisht mbi pesë pikat kryesore që janë pjesë e raportit:

forcimin e funksionit ligjvënës të Kuvendit;

forcimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit;

forcimin e funksionit zgjedhës;

rritjen e transparencës dhe të llogaridhënies së Kuvendit;

përmirësimin e etikës parlamentare.

Tek kjo e fundit dua të ndalem veçanërisht dhe shpresoj shumë në bashkëpunimin tuaj, që sesioni i ardhshëm të tregojë se jemi seriozë dhe se dimë ta bëjmë punën ashtu siç duhet.

Faleminderit.