Ish-zv/Kryeministri dhe Ministër i Brendshëm, Bashkim Kopliku, një nga miqtë e dikurshëm të Sali Berishës dhe prej 15 vjetësh një nga kundërshtarët e tij më të rreptë politikë, komenton për të përjavshmen “Dyrrah” rastin e fundit të largimit nga Partia Demokratike e deputetit Gazmend Oketa. Edhe ky i fundit një ish-zv/Kryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes. “‘Problemet në demokracinë e brendshme në PD’ kanë nisur shumë më herët se viti 2005, thotë Kopliku. PD-ja ka pasur demonstrime të theksuara të problemeve të rënda me demokracinë e brendshme, probleme të njohura për publikun e gjerë shqiptar, e që kanë qenë objekt diskutimesh dhe analizash politike publike, në masmediat e folura dhe të shkruara, gjithë këto 20 vite”. Inxhinieri i njohur për karakterin e tij të rreptë e të prerë, tashmë i shkëputur nga politika aktive, jep mendimin e tij edhe për dy formacionet më të reja që pritet të dalin në “sheshin e mejdanit”, Aleanca e Spahiut dhe partia e Presidentit Topi.
Cili është vlerësimi juaj për largimin e z Oketa nga PD-ja dhe akuzat e tij të ashpra ndaj hierarkisë së PD-së dhe qeverisjes Berisha?
Bëri një veprim politik qytetar, patriotik dhe evropian që u largua nga PD-ja, z. Oketa. Akuzat e tija nuk më janë dukur fare të ashpra, përkundrazi më janë dukur shumë të buta, së paku nga ana e formës. Këtu me veprim politik qytetar, kam parasysh të mirën për të gjithë, jo vetëm për durrsakët, por për të gjithë shqiptarët. Me veprim politik patriotik, e kam fjalën për veprimet që kontribuojnë në forcimin e përmirësimin e atdheut tonë, Shqipërisë. E keqja më e madhe që e ka zënë Shqipërinë e sotme, është qeverisja e korruptuar, diktatoriale dhe jo eficiente-qeverisjen e bën Partia. Prandaj më urgjentja është krijimi i një Partie si duhet.
Me veprim politik europian, nënkuptoj kontributin shqiptar në Evropë. Ky do të ishte krijimi i një shteti ku shqiptarët të bëhen të njohur si biznesmenë të zot, si punëtorë e punonjës të aftë, si njerëz mikpritës në vendin e tyre. Një parti shqiptare politike eficiente dhe demokratike, është rruga më e mirë që Europës t’i heqim merakun se ne shqiptarët merremi me drogë, me prostitucion, me vjedhje, me sorollatje prej dembelësh; se kemi një vend ku nuk shkelet dot nga plehrat që e kanë mbuluar gjithandej, e ku detet, liqenet e lumenjtë mbushen në mes të ditës me fekalet që shtëpitë e hotelet tona derdhin përditë në to; e ç’është më e keqja, një vend ku qeveria vret mu në mes të bulevardit, katër protestues të paarmatosur që nuk i rrezikonin njeriu as jetën e as pasurinë, e ku sistemi gjyqësor ka më se një vit që nuk dënon fajtorët.
Cili është komenti juaj për reagimin e z Berisha, i cili e krahasoi Oketën me Namik Doklen?
Jam i sigurt se reagimet e z. Berisha do të jenë si zakonisht, nga arsenali llapaqen. Fjalët e tij na turpërojnë të gjithë ne, sepse dalim një populli që e duron atë, sepse nuk e do lirinë; dalim një popull që po vazhdon të pjellë e pastaj edhe të durojë kryetarë të përjetshëm, dikur Enver Hoxhën, tani z. Sali Berisha.
Fatkeqësisht ka vite që reagimet e z. Berisha janë të tilla, në vend që t’u përgjigjet problemeve që i ngrihen: se nuk funksionon demokracia e brendshme në parti, se ka vetëm luftë për pushtet e pasurim vetjak, se ka vetëm interesa për të futur në punë në shtet kushërinjtë-bile pak fare militantë-gjë që e ka kthyer administratën shqiptare në më të paaftën e më të korruptuarën në Evropë etj. etj.
Z. Oketa ishte zv/Kryeministri i dytë pas jush që u distancua dhe largua nga PD-ja dhe qeverisja. A shikoni ndonjë dallim në mes qëndrimit tuaj dhe atij të z. Oketa, i cili deklaroi se problemet në demokracinë e brendëshme në PD nisën pas vitit 2005?
E njoh z. Oketa vetëm nga larg-kam pirë asnjëherë “një kafe” me të-kam përshtypjen e një burri të ri dinjitoz e të qetë. Vërtetë që ka ngjashmëri në mes meje e z.Oketa: të dy kemi qenë zëvendëskryeministra, të dy jemi ngritur për rivendosjen e demokracisë së brendshme në PD, të dy kemi qenë të drejtë e të pakorruptuar, të dy jemi durrsakë.
Por, kemi edhe shumë ndryshime, duke filluar që nga mosha, unë jam rreth 25 vjet më i madh se z. Oketa; jemi tipa të ndryshëm, ai është shumë më i ëmbël dhe më i urtë se unë, që jam mjaft i prerë dhe i rreptë. Por ndryshojmë edhe në të tjera që mbase janë më pak të dukshme, si p.sh. nga përqendrimi në politikë, ku unë lash fare zanatin dhe iu kushtova vetëm politikës, që në hapat e para të PD-së, duke shpenzuar të gjithë kohën time në shërbim të perfeksionit si politikan (kur isha politikan aktiv, gjatë viteve 1991-97, nuk kam lexuar asnjë rresht nga elektronika, zanati im i dikurshëm, por vetëm për politikën e shkencat e lidhura ngushtë me të), ndërkohë z. Oketa vazhdon të merret edhe me zanatin e tij; kohëzgjatja ime në detyrën e zëvendëskryeministrit ka qenë më e gjatë (rreth tre vjet); kam qenë më partiak se ai, me më shumë poste partiake e ekzekutive, mik më i ngushtë me z. Berisha.
E fundit por më e rëndësishmja: “problemet në demokracinë e brendshme në PD” kanë nisur shumë më herët se viti 2005. PD-ja ka pasur demonstrime të theksuara të problemeve të rënda me demokracinë e brendshme, probleme të njohura për publikun e gjerë shqiptar, e që kanë qenë objekt diskutimesh dhe analizash politike publike, në masmediat e folura dhe të shkruara, gjithë këto 20 vite. Në vijim po rreshtoj shpejt e shpejt ato më pikantet.
Në vitin Më 13.8.1992, u përjashtuan nga partia personalitete të PD-së, grupi i të ashtuquajturve “mocionistë”, ku disa nga këta ishin Arben Imami, Gramoz Pashko, Arben Demeti, Preç Zogaj etj. Vërtetë që pas rreth 13 vjetësh, këta personalitete i lëpinë të gjitha gëlboqet që kishin hedhur mbi PD-në, dhe nga aleancat me PS-në ku ishin dhe ministra e me ofiqe të tjera të tjera të larta, u futën nën diktatin e z. Berisha, kur e kuptuan se ai po rivinte në pushtet. Por karakteri i tyre, nuk ka të bëjë me faktin që përjashtimi i tyre nga PD-ja u pat bërë në thyerje të rëndë të normave demokratike të funksionimit të një partie jokomuniste.
Në vitin 1994, PD-ja hoqi nga Statuti i Partisë kufizimin e mandateve të kryetarit të partisë (statuti fillestar ndalonte që kryetari i partisë të ishte i njëjti person më shumë se dy herë), e kjo u pat bërë gjoja që mos të ndryshonim kryetarin e PD-së të asaj kohe, z. Eduard Selami. Ishte një dëm i pamasë që iu bë Shqipërisë, sepse i hapëm rrugën diktatorëve të rrinin për jetë në krye të partisë.
Në vitin 1994, u fillua të persekutohej Azem Hajdarin, kryetari i parë i PD-së, sepse ai po konkurronte me popullaritet njëshin, z. Berisha. Persekutimi antidemokratik i Azemit, duke e përzënë edhe nga forumet e PD-së, vazhdoi, herë i hapur e herë i fshehtë, deri sa e vranë, në vitin 1998.
Pas datës 06.11.1994, kur PD-ja humbi Referendumin për Kushtetutën, iu vu vula fillimit galopant të instalimit të sistemi policor brenda partisë. U hoqën në masë idealistët e fillimit, duke u zëvendësuar me arrivistë e interesaxhinj.
Shqipëria ka nevojë urgjente për një parti të madhe të djathtë të vërtetë. Një parti e tillë jo vetëm që do ta rrudhte Partinë e Berishës, por praktikisht do ta shkatërronte fare, sepse do t’i merrte pjesën më të mirë e më të madhe të votuesve të saj. Tmerri i z. Berisha është lindja e një partie të tillë, sepse do të humbte pushtetin personal që e ka synimin kryesor e për të cilin sakrifikon çdo gjë, përfshirë Shqipërinë, prandaj ai do të bëjë çmos ta shkatërrojë çdo nismë të tillë
Në vitin 5.3.1995, u shkarkua nga detyra e kryetarit të PD-së Eduard Selami, e kjo me votim të hapur, e jo të fshehtë, si e do demokracia.
Më 30.11.1995, nga PD-ja u miratua ligji “Për kontrollin e figurës”, ligji “kundër sigurimsave etj.”, kjo në shkelje të akteve ligjore kushtetuese të kohës. Para miratimit të këtij ligji, i kishim lejuar të drejtën e të zgjedhurit deputet kujtdo, pavarësisht se kush kishte qenë, e kjo me paketën kushtetuese (pra “me Kushtetutë”) të të drejtave të njeriut. Ligji “kundër sigurimsave” u hiqte të drejtën e të zgjedhurit deputet një grupi njerëzish. Ligji në vetvete ishte i mirë si teknikisht si dhe politikisht, por Kushtetuta nuk mund të shkelet, “as për mirë”, prandaj duhej së pari të ndryshohej ajo, e vetëm pastaj të miratohej Ligji: në demokraci, “qëllimi i mirë, nuk justifikon mjetin e keq”, pra shkeljen e Kushtetutës.
Më 26.5.1996 u krye një vjedhje masive e votave gjatë zgjedhjeve. Duke u gjetur para kritikës së fortë të opinionit ndërkombëtar, PD-ja ideoi stimulimin absurd e të papërgjegjshëm të skemave piramidale, kjo për të krijuar idenë e mirëqenies e për të fituar zgjedhjet lokale të 20.10.96, kësaj here pa vjedhur vota. Vërtetë që zgjedhjet lokale i fitoi PD-ja, por pothuaj i gjithë populli humbi në skemat piramidale, dhe në Shqipëri plasën revoltat.
Në prill 1997, përjashtohet nga kryesia e PD-së, Bashkim Kopliku, pa qenë prezent e me votim vetëm të kryesisë me z. Berisha në krye, gjë që ishte shkelje e statutit, sepse ishte vetëm këshilli Kombëtar që mund të shkarkonte një anëtar të kryesisë. U vazhdua me përjashtimin nga grupi parlamentar, pa u votuar, por me një lajmërim të thjeshtë nga z. Berisha.
Nuk po e zgjas me rrënimin e Shtetit në vitin 1997, me armatosjen e militantëve të PD-së etj., me shkatërrimin e të gjithë vendit, ku përgjegjësinë dhe fajin kryesor e pati PD-ja me në krye z. Berisha.
Në vitin 1998, PD-ja bën puç shteti duke pushtuar Kryeministrinë, Radiotelevizionin etj. PD-ja ndërpret puçin vetëm kur kuptohet se ky do të ishte fundi i PD-së.
Fenomeni i largimeve nga PD-ja është një realitet që ka nisur që në vitet e para të qeverisjes. Si e shpjegoni faktin që pjesa më e madhe e këtyre qëndrimeve dhe largimeve janë bërë pasi “rebelët” kanë humbur postet ministrore. A e ka zbehur kjo forcën e këtyre qëndrimeve, pa folur për rastet e rikthimeve në PD?
Kur je në majat më të larta të shtetit, si ministër apo aq më tepër si zëvendëskryeministër, e ke detyrë të bësh ç’është e mundur të ndryshosh gjendjen nga brenda partisë, prandaj dhe përpjekjet tua nuk janë aq publike, e shumë njerëz nuk i shohin ose nuk duan t’i shohin. Janë këto përpjekje demokratizuese brenda PD-së që janë bërë shkak për shkarkimin e ministrave nga z. Berisha, dhe pastaj, ata ministra që “nuk kanë ndenjur rehat”, pra kanë vazhduar përpjekjet demokratizuese, z. Berisha me servilët e tij i kanë përzënë fare nga PD-ja (si rasti im), ose i kanë detyruar të largohen (si rasti i z. Oketa). Nuk duhet të ketë në politikë besnikëri mafioze ndaj Kryetarit, siç pretendojnë shumë shqiptarë, pra që ministrat etj., t’i thonë lepe peqe kryetarit. Berisha. Politikani duhet të jetë besnik ndaj principeve mbi të cilat ndërtohet partia dhe demokracia. Politikani, kur e sheh se dalja nga partia i bën më mirë vendit, duhet të sakrifikojë duke u larguar nga Partia, siç e bëri z. Oketa. Shqiptarët, së paku durrsakët, duhet ta përgëzojnë masivisht z. Oketa, duke e mbrojtur së paku moralisht nga goditjet e llapaqenëve të z. Berisha.
Ndonëse ju keni qenë ndër kritikuesit me permanentë dhe të ashpër ndaj Kryeministrit dhe qeverisjes, Berisha i ka shmangur në një farë mase reagimet direkte ndaj jush. A tregon kjo se Berisha di të respektojë kundërshtarët politikë, kur ata nisen nga interesa parimore dhe jo koniukturale?
Nuk i ka shmangur goditjet direkte ndaj meje z. Berisha, kur ka menduar se ato ishin rruga më e mirë për të mos iu cenuar pushteti personal. Këto sulme kanë qenë shumë të ashpra dhe të ulëta kur unë isha aktiv politikisht, akoma deputet, por edhe më vonë, kur mendonte se mos angazhohem në ndonjë parti tjetër politike. Pastaj, kur e pa se unë isha i pa lidhur me ndonjë parti, e veçse dilja me opinionet e mia në masmedia, i leverdiste më shumë të më “neglizhonte”, sesa të më “faktorizonte” duke m’u kundërvënë personalisht. Gjithsesi, nuk ka pushuar së futuri sejmenë të tij, por unë nuk kam përtuar t’u përgjigjem, deri dhe me procese gjyqësore, gjë që po të vazhdonte do të bindte një masë të madhe njerëzish në drejtësinë time, prandaj dhe mundohet t’i kalojë në heshtje gjërat.
Mos kini asnjë iluzion se z. Berisha ka ndonjë pikë respekti për kundërshtarët politikë: kujtoni fjalorin e tij plot shpifje, që shqiptarët kanë 20 vjet që e dëgjojnë, e fatkeqësisht një pjesë jo e vogël edhe e miratojnë.
Në muajin mars pritet që të zyrtarizohet një partie e qendrës së djathtë që njihet dhe si grupimi i Presidentit. A mendoni se e djathta ka shansin të ketë një alternativë të fortë përfaqësimi duke kërcënuar dhe rrudhjen e PD-së?
Shqipëria ka nevojë urgjente për një parti të madhe të djathtë të vërtetë. Një parti e tillë jo vetëm që do ta rrudhte Partinë e Berishës, por praktikisht do ta shkatërronte fare, sepse do t’i merrte pjesën më të mirë e më të madhe të votuesve të saj. Tmerri i z. Berisha është lindja e një partie të tillë, sepse do të humbte pushtetin personal që e ka synimin kryesor e për të cilin sakrifikon çdo gjë, përfshirë Shqipërinë, prandaj ai do të bëjë çmos ta shkatërrojë çdo nismë të tillë.
A do të mund të jetë partia në fjalë, shpresa e së djathtës shqiptare?! Le të shpresojmë, le të ndihmojmë që të jetë.
Cili është mendimi juaj në lidhje me Aleancën Kuq e Zi?
Aleanca Kuq e Zi më kujton Ballin Kombëtar gjate luftës së dytë botërore, që kishte vënë kryesore çështjen kombëtare (kufijtë, bashkimin e trojeve shqiptare etj.), si zgjidhje e të gjithë problemeve të shqiptarëve, pa ndasi majtas a djathtas, por dhe pa peshuar mirë aleancat e domosdoshme që duhet të ketë një shtet i vogël si Shqipëria. Uroj që AK të mos ketë fatin e BK.
Z Kopliku, ju jeni ndër rastet e pakta të njerëzve që ditët të reagoni dhe të tregoni dinjitet ndaj pushtetit dhe në kohën e diktaturës dhe tashmë në kohën e demokracisë. A është ky instinkti i njeriut që mbetet gjithmonë opozitar me pushtetin apo rrjedhojë e një shije të caktuar që ju kanë lënë të dy realitetet politike?
Faleminderit për vlerësimin e qëndrimeve të mia. Mendoj se kam vepruar jo sipas instinkteve, por sipas zemrës dhe sipas një mendimi racional e të peshuar gjatë e pa ngut, për të qenë sa më i vlefshëm për vendin tim, sidomos në kryerjen me ndërgjegje të detyrave që i kisha pranuar e marrë përsipër për t’i kryer.
A shpresoni ta gjeni veten të përfaqësuar në ndonjë forcë politike apo vazhdoni të mbeteni skeptik. A ju tundon ideja e një force të re politike të qendrës së djathtë.
Rrugën duhet ta çajnë më të rinjtë se unë, kryesisht 25-55-vjeçarët. Unë do të radhitesha vetëm në një parti që siguron dy kërkesa kryesore: e para, të jetë parti demokratike e qendrës së djathtë, si partitë popullore evropiane; e dyta, të ketë në statut kufizimin e mandateve në poste të njëvlershme kryesore (si kryetarët e partisë, por edhe kryeministri eventual apo i njëvlershmi tjetër, kryetari i Kuvendit etj.) në maksimumi dy mandate ose 8 vjet, gjatë të gjithë jetës së tyre, kërkesë që duhet ta kenë në program që ta fusin edhe në Kushtetutën e Shqipërisë.
Së fundi z. Kopliku, duke zbritur te politikat lokale dhe duke u ndalur në Durrës. A mendoni se Durrësi vazhdon të mbetet një lokalitet i politikave të Tiranës dhe për çështje që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e qytetit, apo shikoni se pushtetarët tanë vendorë dinë të ruajnë interesat e qytetit dhe të jenë të pavarur në vendimmarrje?
Kryetari aktual i Bashkisë, z. Vangjush Dako përpiqet për mbarëvajtjen e qytetit duke qenë i pavarur nga “Tirana”, në vendimmarrje e tij. Unë ka raste që nuk bie dakord me të, sepse unë anoj në zgjidhje të djathta, ai në të majtat, por ama jam i bindur se mendon për të mirën e qytetit, sipas bindjeve të tija politike.
Fatkeqësisht, rasti i z. Dako është jo shumë i shpeshtë: shoh shumë drejtues të tjerë lokalë, të majtë apo të djathtë, që për të ruajtur karrierën politike, i lënë interesat e qytetit, duke iu servilosur kryetarit në Tiranë.