Ndonëse sot ishte dita e të moshuarve për të dalë për disa orë në qytet për ajrosje, në Durrës kanë dalë edhe nënat me fëmijë.

Jo për t’u ajrosur një xhiro rrugëve të Durrësit, por për të shijuar rrezet e ngrohta të diellit në plazhin e Currilave.

Bregdeti është i qetë dhe i boshatisur, ndërsa dëgjohen vetëm zërat e fëmijëve të cilët të ndihmuar nga mamatë e tyre hidhen në ujin e kripur të detit për të notuar.

Moti i ngrohtë në fundjavë pas reshjeve të shiut përgjatë javës që lam pas, ka tunduar qytetarët që me urdhër të qeverisë duhet të qëndrojnë në shtëpi si masë mbrojtëse për të mos u infektuar nga COVID-19, të thyejnë karantinën.

Njësoj si fundjavën tjetër, pas të moshuarve, nesër është dita e nënave me fëmijë për të lëvizur në këmbë deri në orën 11:00 me të vegjlit e tyre deri në moshën 10 vjeç, gjithmonë duke respektuar rregullat!