Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në një ndeshje të kampionatit të të rinjve në Itali, ku një gjyqtare e re femër ka qenë viktimë e fyerjeve, kërcënimeve dhe ofendimeve të rënda nga drejtuesi i klubit Sporting Terni, gjatë një ndeshjeje të kategorisë nën 17 vjeç.

Sipas vendimit të gjyqtarit sportiv, gjatë pushimit mes pjesëve, drejtuesi në fjalë është futur në dhomën e zhveshjes së gjyqtares, duke i kontestuar vendimet me zë të lartë, ndërsa regjistronte bisedën me telefon.

Pas ndërprerjes së regjistrimit, ai ka shpërthyer në ofendime të rënda, përfshirë fjalinë: “Duhet të kishe vdekur që e vogël” dhe “Duhej të përfundoje si Ilaria“, duke iu referuar qartazi vrasjes makabre të 22-vjçares shqiptare Ilaria Sula, e cila u vra nga ish i dashuri i saj.

Si rrjedhojë e sjelljes së tij, sipas ANSA-s, drejtuesi është përjashtuar nga çdo aktivitet sportiv deri më 31 dhjetor 2028, një dënim i ashpër por i justifikuar, duke marrë parasysh tonin e dhunshëm dhe përmbajtjen e fjalëve të përdorura.

Në dokumentin zyrtar thuhet gjithashtu se ai ka deklaruar: “Në këtë pikë, duhet nxjerrë thika”.

Por ngacmimet nuk u ndalën me kaq. Edhe pas përjashtimit dhe nxjerrjes jashtë fushës, ai vazhdoi të tallej me gjyqtaren nga jashtë stadiumit, duke i drejtuar asaj fjalë ofenduese dhe duke simuluar lehjen e një qeni, në një përpjekje për ta denigruar.

Gjatë pushimit të pjesëve, gjyqtarja kishte dëgjuar edhe fyerje të rënda me përmbajtje seksiste dhe kërcënime që vinin nga dhoma e zhveshjes së Sporting Terni, e identifikuar qartazi pasi flitej për rezultatin negativ të ekipit, që në atë moment humbiste 0-3.

Klubit Sporting Terni i është vendosur një gjobë prej 500 eurosh, për moskontrollin e sjelljes së përfaqësuesit të vet dhe për klimën e dhunshme që u krijua rreth ndeshjes. Ndeshja përfundoi me fitoren e Sangemini Sport, 4-0.