Pushtimi i Gazës nga forcat e Izraelit do ishte “një gabim i madh”, deklaroi Presidenti amerikan Joe Biden në një intervistë lidhur me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.

“Unë mendoj se do të ishte një gabim i madh. Hamasi dhe elementët ekstremë të Hamasit nuk përfaqësojnë të gjithë popullin palestinez. Mendoj se do të ishte gabim që Izraeli të pushtonte Gazën”, u shpreh ai.

Ai u shpreh se besonte se Hamasi duhet eliminuar tërësisht, por shtoi se “duhet të ketë një autoritet palestinez dhe duhet të ketë një rrugë drejt një shteti palestinez.”

I pyetur nëse ai besonte se Izraeli do të ndiqte një zgjidhje me dy shtete, e cila ka qenë politika e SHBA për dekada, Biden tha se nuk pret që kjo të ndodhë, edhe pse beson se Izraeli e kupton që një pjesë e konsiderueshme e popullit palestinez nuk ndan pikëpamjet me Hamasin dhe Hezbollahun.