DURRËS, 16 janar 2015 –  Për bashkinë e Durrësit prej kohësh përflitet si një kandidat potencial, nga e djathta, deputeti republikan Agron Duka. Në lidhje me këtë çështje, deputeti republikan me ndikim jo të vogël në Durrës, nuk e ka përjashtuar mundësinë e kandidimit për bashkinë e qytetit bregdetar. 

I pyetur nga TV Scan, nëse ai vetë do të linte mandatin e deputetit për të garuar në zgjedhjet e ardhshme, Duka thotë:

“Ende nuk ka një kërkesë zyrtare nga ana e opozitës së sotme. Jo vetëm për faktin se gara është shumë më e fortë, por edhe nëse do të ishte, për shembull, me ndarjen e vjetër, nëse do të kisha propozim nga e djathta unë kësaj pyetjeje kështu i jam përgjigjur: Nëse do të kisha një propozim serioz do konsultohesha me miqtë e mi, me njerëzit me të cilët kam bërë gjithmonë fushata elektorale, si dhe me anëtarësinë e PD-së dhe PR-së, si aleat i PD-së. Po natyrisht, kjo në radhë të parë është në konsultë me forumet drejtuese të Partisë Republikane. Kështu që përderisa një propozim të tillë serioz unë nuk e kam pasur, nuk kam sesi t’i përgjigjem. Mund të them vetëm kaq, që shpesh nëpër zonën time, në zonën e Durrësit, në zonën ku banoj, përflitet emri im edhe nga militantë të djathtë, por edhe majtas, edhe në biseda private me anëtarë të Partisë Demokratike. Por, siç thashë, ndonjë gjë serioze nuk ka pasur”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/