Kreu i Partisë Ambientaliste Agrare, Agron Duka, i ftuar në News24 ka folur në lidhje me garën elektorale në vend në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit.
Duka komentoi më konkretisht garën për bashkinë e Durrësit, teksa tha se kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara, ka arritur të përfaqësojë gjithë opozitën në betejën elektorale për qytetin bregdetar.
Ai shtoi se sipas sondazheve Cara është shumë më para se kundërshtarja e tij Emirjana Sako, të cilën e cilësoi si një “profil shumë të ulët”.
“Me Berishën kemi pasur një takim për të formalizuar koalicionin që më pas u bë. Unë nuk desha të futem për shkak të mbijetesës së partisë. Na duhej një garë elektorale për të rifreskuar partinë. Tashmë, sa përket bashkimit rreth figurës së Iglit ka qenë që në fillim.
Unë mendoj se zgjedhjet duhet t’i trajtojmë sipas rëndësisë së individit, ku Cara që i bashkon të gjithë është përfaqësues i gjithë opozitës shqiptare. Në rastin e Igli Carës erdhi edhe Dashamir Shehi që ka të njëjtin mendim për të dyja palët e mëdha.
Nëse ndikojmë në fitoren e Carës në Durrës kemi arritur qëllimin tonë si opozitarë. Në Durrës kushdo aktor politik që jep kontributin bën shumë mirë. Qëndrimi kaq i gjatë i PS-së nuk i sjell të mira qeverisjes vendore. Në rastin konkret, Igli Cara premton që mund të fitojë.
Energjitë tona mendojmë se mund të ndikojnë në fitoren e tij. Më gjej një figurë që ka peshë se të tjerët në kandidatët e opozitës dhe unë do e mbështes.
Cara ka një ndjesi pozitive nga qytetarët e Durrësit dhe ka jetuar prej kohësh aty. Nuk kam dashuri për Igli Carën unë. Hiç fare. Nuk është dashuri, respekti është tjetër gjë. Ai ka qenë ndër kundërshtarët e mi më të egër më parë. Nëse do e shihja këtë gjë personalisht do isha kundër Iglit.
Unë e them sinqerisht, duhet ndërruar menaxhimi i Durrësit. Nuk ka më të mirë se Igli. Këtë e tregon pëlqimi i qytetarëve durrsakë. Igli është njeri që pëlqehet nga durrsakët. në vitin 2015 kam qenë ndër kandidatët për Durrësin ndaj Dakos. Në atë vit kam qenë më mirë se Igli.
Kjo punë është me etapa. Sakon nuk e njoh fare. Ka profil shumë më të ulët publikisht. Iglin e nxjerrin shumë më përpara sondzhet se kundërshtarja e tij”, u shpreh Duka.