Ndryshimet në Kodin e Zgjedhor nuk janë vetëm një kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë por edhe e partive të vogla. Kreu i partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka thotë se ndryshimet në kod dhe sidomos në sistemin zgjedhor janë të domosdoshme. Ai propozon dhe shtyrjen e zgjedhjeve lokale nëse PD dhe PS arrijnë konsensusin për këto ndryshime.
“Natyrisht që jemi për ndryshime të kodit zgjedhor. Dihet që kodi zgjedhor është peng i dy partive të mëdha. S’ka më përfaqësues zonash. Nëse nuk ndryshon kodi zgjedhor, unë besoj që kemi bërë hap mbrapa. Po të shikojmë interesin e partive të vogla ndoshta më i preferuar do të ishte një sistem proporcional me korrektim kombëtar me lista të hapura. Nëse dy partitë e mëdha bien dakord mendoj që edhe mund të shtyhen zgjedhjet e ardhshme vendore që të munden të ndërhyjnë në kodin zgjedhor”, deklaroi Duka.
Teksa e cilëson ndryshimin e sistemit zgjedhor të domosdoshëm jo thjesht për partitë e vogla po për demokracinë në tërësi, Duka thotë se kjo sjellje e PD dhe PS mund ta çojë PAA drejt daljes e vetme në zgjedhje.
“Me këtë lloj sjellje që po bëhet nga dy partitë e mëdha në marrëdhien me kodin zgjedhor, pak nga pak po na ndan nga këto blloqet e mëdha. Nuk ka çudi që nëse ne si kryesi e PAA-së dhe më vonë si Asamble të mund të vendosim të dalim më vete në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të kemi krijuar integritetin tonë dhe të mund të përfaqësohemi vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, u shpreh Duka. /BW





