Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, deklaroi në Asamblenë Zgjedhore se viti 2025 ka qenë në të njëjtin nivel me periudhat më të suksesshme të institucionit që drejton.
Duka ndaloi gjithashtu te nevoja për miratimin e Ligjit të Sponsorizimit nga qeveria, të cilin e cilësoi si një instrument thelbësor për zhvillim.
Ai theksoi se rritja e futbollit shqiptar vjen si rezultat i punës së drejtuesve të klubeve, të cilët i falënderoi për kontributin.
Gjatë fjalës së tij, ai përmendi stabilitetin financiar, investimet dhe zhvillimin e infrastrukturës si disa nga arritjet kryesore.
“Asambleja është vendi ku reflektojmë me përgjegjësi, ku bëjmë bilancet, për të gjitha veprimtaritë tona. Ajo që na bashkon janë pasioni dhe dashuria për futbollin. Për ta zhvilluar atë dhe për ta afruar te njerëzit, nuk mjafton as dëshira, por ndonjëherë as puna.
Vetëm kur jemi të bashkuar, solidarë dhe të përkushtuar në të njëjtin drejtim, energjitë tona kthehen në zhvillim konkret. Këtu qëndron forca jonë. Ne jemi pjesë e një loje, që në themelin e saj ka respektin. Futbolli është pasion dhe emocion. Reagimet pas një ndeshjeje futbolli janë normale. Por mendimi ndryshe dhe as deklaratat e nxituara apo emocionale, nuk kanë cenuar themelet tona institucionale. Themelet nuk janë të brishta. Ato janë ndërtuar mbi përgjegjësi, transparencë dhe vizion për zhvillimin afatgjatë të futbollit.
Efikasiteti i FSHF në vitin 2025 ka qenë në të njëjtin nivel me periudhat më të suksesshme të saj. Stabilitet financiar, investime të qëndrueshme, zhvillimi i infrastrukturës dhe zhvillimi i futbollit në çdo nivel, janë rezultate.
Kampionatet tona kanë ndryshuar ndjeshëm, sot janë shumë në numër, si në nivel kombëtar dhe atë rajonal.
Futbolli merr kuptim, vetëm kur tribunat janë të gjalla dhe klubet bëjnë një lidhje me tifozët. Në një sistem me kaq shumë aktivitete, ka mendime ndryshe dhe debate, për formatet, për arbitrimin dhe jo vetëm. Megjithatë, këto nuk duhet të na largojnë nga fokusi kryesor, pasioni për futbollin. Rezultati nuk duhet të na ndajë më shumë se 90 minuta. Pas kësaj, të gjithë mbetemi pjesë e kësaj familjeje.
Të gjithë duam të fitojmë dhe të dalim kampionë. Në një ndeshje fiton vetëm një skuadër. I zhvillojmë këto gara në një realitet jo të lehtë, me infrastrukturë ende jo të plotë, me burime financiare të kufizuara dhe me ekonomi që ka sfidat e saj. Falë përkushtimit tuaj drejtues të klubeve, futbolli shqiptar jo vetëm që mbahet në këmbë, por rritet nga dita në ditë.
Dua të riktheksoj edhe njëherë, një çështje thelbësore, nevojën jetike për miratimin e Ligjit të Sponsorizimit. Ky ligj nuk është privilegj, por është një instrument zhvillimi, formalizon marrëdhënien financiare, rrit konkurrencën. Miratimi i tij do të ishte një hap strategjik, për t’i dhënë sportit një bazë më të qëndrueshme financiare. Ne kemi punuar intensivisht për përmirësimin e infrastrukturës”, deklaroi Duka.





