DURRËS, 24 tetor 2014– Pas vendimit të UEFA-s ka reaguar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, i cili ndodhet në Nyon, aty ku edhe Komisioni i Disiplinës mori vendimin.
Sipas tij, ky është një vendim i padrejtë, por që e priste pas deklaratave të arbitrit të ndeshjes.
Duka është shprehur se FSHF nuk është dakord me vendimin dhe se do e apelojë atë.
"Jam i zhgënjyer nga vendimi, por edhe e prisja. I zhgënjyer sepse ishte një vendim jo i drejtë dhe nuk e meritonim, por e prisja sepse kisha dëgjuar deklaratat e arbitrit të ndeshjes, por edhe delegatit të ndeshjes. Ky vendim nuk i shërben askujt, pasi është një vendim jo i drejtë. Gjyqtari i takimit dhe delegati i UEFA-s nuk e kanë udhëruar ekipin të dilte në fushë, por vetëm kanë pyetur nëse është në gjendje për të vazhduar lojën. Sipas UEFA-s mund të rrahësh futbollistët në fushë e të marrësh 3 pikë në tavolinë!? Ne nuk do të ndalemi këtu. Do të ndjekim çështjen në Apel dhe do të kërkojmë të drejtat tona. Besoj se gjithçka do të ndryshojë. Ky vendim nuk ndikon në raportet tona me UEFA-n, pasi ato do të jenë të njëjta, por thjesht nuk pajtohemi me vendimin",
është shprehur presidenti i FSHF-së Armando Duka.





