DURRËS, 12 mars 2014 –  Nëse disa media të kryeqytetit konsiderojnë si kandidate kryesore për Bashkinë e Durrësit sekretaren për marrëdhëniet me publikun në PD, e cila më 11 qershor 2015, 10 ditë para zgjedhjeve, mbush 38 vjeçe, Grida Duma (Shqina), një befasi tjetër vjen nga media vendore e qytetit bregdetar: hyn në “stadiumin” elektoral edhe Armando Duka.

Sikurse njofton televizioni i Durrësit “AdriaNet”, i afërt me strukturat drejtuese të selisë blu, disa grupseksione kanë propozuar si kandidat të opozitës për kryebashkiak të super-qytetit bregdetar edhe presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka, vëlla i deputetit republikan Agron Duka.

BLOF APO PLAN “B”?

Në pamje të parë, duket sikur shefi i futbollit shqiptar, që nuk dihet se ç’ force politike i takon, “ha në besë” vëllanë, që është vetofruar. Nuk dihet nëse ka ndonjë blof të nxitur nga familja Duka për të mbajtur në lojë deputetin apo ekziston ndonjë plan rezervë B: Agroni nuk dorëzon mandatin e deputetit, vëlla Armandoja bëhet kryetar bashkie, kunati Lefter Koka (LSI) është ministër. “Gol” në minutën e fundit?

ALTERNATIVAT

Gjithsesi, "SHQUP"-i ka alternativa të shumta për Durrësin: Ardian Muka, Arqile Gorrea, Grida Duma, Oerd Bylykbashi, Redi Myshketa etj. (si zor të jetë në listë edhe Armand Teliti, sikurse është përfolur, pasi është përfaqësues i PD-së si audit teknicien për mbikëqyrjen e hartimit të listës së zgjedhësve për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2015).

 

SFOND / INCIDENTI ME PD GJIROKASTËR

Afër 5 muaj më parë, më 24 tetor 2014, u miratua vendimi për dhënien e titullit

 “Qytetar nderi” presidentit të FSHF Armando Duka. Pas kërkesës së sportdashësve, në mbledhjen e radhës së këshillit bashkiak Gjirokastër u miratua dhënia e këtij titulli, por i kundërshtuar nga kryetari i këshilltarëve të djathtë Bexhet Çobani, i cili ka braktisur edhe mbledhjen. Pasi ka shprehur kundërshtinë e tij për Dukën, ai ka thënë se nuk e meriton. Sipas Çobanit: “Realisht është për të ardhur keq që sot të gjithë shqiptarët kanë marrë një lajm shumë të keq për sa i përket sportit dhe zoti Armando Duka, një nga përgjegjësit kryesor propozohet për “qytetar nderi i Gjirokastrës”, unë kërkoj që ky patjetër që të hiqet. Pa u rregulluar këto gjëra nuk mundet të marrë pjesë”. (shih më hollësisht: https://www.youtube.com/watch?v=X72vet3b0Cw).

 

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/