Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nuk ka arritur të fitojë një vend në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, në zgjedhjet e mbajtura sot në Kongresin e 41-të, punimet e të cilit po zhvillohen në Helsinki të Finlandës. Numri 1 i futbollit shqiptar mori 25 vota nga 55 anëtarë që votuan, duke u renditur në vendin e 9 në garën për 8 vende.
Në garë u futën 13 kandidatë, por 2 prej tyre u tërhoqën përpara votimit, duke e bërë më të thjeshtë garën për presidentin e FSHF-së, e cila në fund gjithsesi u humb.Kandidati i renditur në vendin e 8, pra fituesi i fundit në këtë garë, ishte turku Servet Jardëmxhë, i cili grumbulloi 34 vota, 9 më shumë se Duka.Kongresi i UEFA-s gjatë punimeve të sotme miratoi edhe vendimet që si presidenti i kësaj organizate, ashtu edhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, të mos shërbenin më shumë se tre mandate në këto poste të zgjedhura. Njëkohësisht, pjesëtarët e Ekzekutivit, duhej të mbanin post drejtues aktiv në Federatën përkatëse, në mënyrë që të ishin të përfshirë në realitetin e futbollit.