Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka deklaruar në emisionin “Top Story” se nuk e përjashton rikandidimin për një tjetër mandat në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ai iu përgjigj në mënyrë “indirekte” pyetjes nëse do të rikandidonte në zgjedhjet e vitit të ardhshëm apo jo.

“Sipas statutit të Federatës, në 6-mujorin e parë dhe një herë në katër vjet, ka Asamble Zgjedhore. Nuk është caktuar ende se kur do të jetë. Nuk është që nuk e kam menduar, nuk është pak e rëndësishme. Por duke u marrë me punën e përditshme e problematikën, me vazhdimin e projekteve, më është dukur e largët dhe nuk e kam menduar. Do ta lë në kohën kur janë afatet statutore, do të vazhdojë të punoj në Federatë, për të vazhduar projektet që janë shumë, jo vetëm infrastrukture të dukshme si stadiumi kombëtar, por edhe kompleksi tek ish-Kompleksi Dinamo me zyra dhe fusha futbolli e ministadium. Janë projekte të tjera të futbollit të fëmijëve. Nëse do të shoh që ka njerëz të tjerë që kanë projekte më të mira mund ta lë, nëse nuk shoh…”, u shpreh presidenti i FSHF, Duka.

Një prej emrat që përflitet se mund t’i dalë atij përballë në këtë proces vjen nga politika dhe ai është Bashkim Fino. Duka tha se ka njohje personale me Finon dhe e ka pasur shok shkolle, por nuk kurseu ironinë për të dhe partinë e tij.

“Aq sa thatë ju, kam dëgjuar edhe unë për Bashkimin, që mund të jetë, mediatikisht e njoh, kam marrëdhënie personale me të, e kam pasur shok shkolle. E respektoj si njeri. Sa i përket kandidimit si pjesë e një partie, i përket atij ta mendojë. Nëse partia do ta kandidojë, ta kandidojë nga selia e partisë, të jetë kandidati i zyrtarizuar i partisë. Ne kemi pasur deputetë që kanë deklaruar nga foltorja e parlamentit që arbitrin e godita unë, edhe kjo mund të ndodhë. Nuk besoj se Partia Socialiste do të angazhohet në një fushatë sportive, edhe nëse një nga radhët e saj mund të jetë kandidat”.