Tiranë, 22 prill 2014 – Deputeti i Partisë Republikane, Agron Duka, ka kërkuar dje informacion zyrtar nga ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, nëse ka dijeni se pallati i shumëpërfolur si në pronësi të kryetarit të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, në zonën e Currilave, është i pajisur me leje apo jo dhe cili është qëndrimi i Ministrisë për këtë ndërtesë, shkruan sot “Panorama”..

“Në Durrës po bëhet një pallat, për të cilin është shkruar në të gjitha mediat, ku përflitet kryetari i Bashkisë së Durrësit për konflikt interesi, sepse dihet që ai merret me betone. A keni dijeni për këtë pallat në zonën e Currilave? Sepse ka një shqetësim nga banorët e zonës në Currila, asnjë lloj përgjigje e asnjë lloj reagimi. Mendoj se ka një vështrim me dy standarde. Mendoni se ju duhet të jepni një farë gjykimi ose ta mbroni. Bëhet fjalë që, përveçse përflitet kryetari i Bashkisë së Durrësit, është në një farë mënyre edhe prishja e besimit që kanë qytetarët te qeveritë”, tha Duka.

Por ministrja Gjermeni tha se: “Për shqetësimin konkret të ndërtimeve në zonën e Currilave, nuk kam një informacion, do ta marr informacionin e detajuar dhe do ta sjell”.

Ndërsa Duka ka debatuar me socialistin Sadri Abazi, duke thënë se: “Pallati është i Vangjush Dakos”. Ndërsa Abazi u shpreh se: “ajo ndërtesë duhet të jetë me leje pallati”. Por më tej, Agron Duka ka shprehur habinë duke thënë se: “Si e ka me leje, ndërtesa është në ranë të lundrushme… Kush ia ka dhënë lejen Vangjush Dakos?”. Ndërsa Abazi ka vijuar duke thënë që ndërtesa është me leje.

Mazhoranca dhe opozita kanë dalë dje kundër qeverisë dhe vendimeve për të prishur objektet në zonat bregdetare apo ndërtesat në proces legalizimi. Deputetët e mazhorancës, Artan Gaçi dhe Fatmir Toçi dhe më pas demokrati Helidon Bushati, kanë ngritur si shqetësime ndërhyrjet e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) në objekte të caktuara, të cilat sipas tyre kishin çertifikatë pronësie dhe leje legalizimi.

/gazeta “Panorama”/