LUKSEMBURG, 12 mars 2013 –Shqiptarët kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare deri dhe në shtetin e vogël të BE-së, në Dukatin e Madh të Luksemburgut (Grand-Duché de Luxembourg), me sipërfaqe 2,586 kilometra katrorë dhe popullsi 524,853 banorë (shifra e dhjetorit 2012).

Dukati i Madh ka identifikuar në muajin shkurt 71 kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare (protection internationale) përkundër 80 të tillave në janar 2013, këto janë shifrat e publikuara, të hënën, më 11 mars 2013, nga qeveria e Luksemburgut, njofton gazeta vendase “Le Quotidien”.

Midis 71 azilkërkuesve, 11 persona kanë ardhur nga Shqipëria ose 9 më shumë në krahasim me muajin e kaluar, 10 nga Kosova dhe 9 nga Iraku.

Nga 117 vendimet e marra gjatë muajit shkurt, dy persona morën mbrojtje ndërkombëtare dhe 74 të tjerëve iu refuzua statusi i refugjatit.

Luksemburgu numëron në totalin e riatdhesimeve dy kthimeve me forcë dhe 98 kthime vullnetare, thotë “Le Quotidien”.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/