Degradimi i infrastrukturës rrugore dhe mos ndërhyrja për rikonstruksioni i saj i ka hedhur banorët në protestë.

Komuniteti i zonës së “Sektorit Rinia” në Durrës ka kërkuar sot nga pushteti vendor të investojë për rikonstruksioni e këtij aksi që lidh këtë zonë me Shënavlashin.

Gropat e stërmëdha të krijuara në asfalt ua vështirësojnë së tepërmi lëvizjen drejtuesve të mjeteve, por kjo infrastrukturë e degraduar është shqetësim edhe për bizneset që ushtrojnë aktivitetin aty.

“Është vërtet turp që një zonë industriale si kjo, me fabrika të bukura dhe kompani ndërkombëtare ka një rrugë në këto kushte degraduese, të cilat shkaktojnë dëmtimin e automjetvee dhe kamionëve. Duket si vend i botës së tretë, por është një vend ku punohet dhe prodhohet me teknologji të lartë.”– thotë një sipërmarrëse italiane, që ka ngritur biznesin e saj përgjatë këtij aksi.

Rruga, e quajtur me të drejtë “Rruga e mundimeve”, krahas infrastrukturës së degraduar është dhe pa ndriçim dhe burim aksidentesh.

Banorët e zonë thonë se gjatë dimrit aksi mbulohet nga balta dhe uji, ndërsa gjatë verës pushtohet nga pluhuri, duke e bërë të vështirë qarkullimin në të.





