BUJAR QESJA

Në këtë mbrëmje të së mërkurës, 29 dhjetor 2021 u ndodha në spitalin e Durrësit. Do të ndaloja në repartin e kardiologjisë. Kisha një arsyje të fortë. Dhurata, bashkëshortja e vëllait të madh Yllit, prej ditësh ndodhet në reaminacion. Një hemorragji akute e godet, duke ia ulur dukshëm hemoglobinën. Është hedhur gjak. Është treguar kujdes. Por emergjenca vazhdon.

Dua të dal në një problem shoqëror, po aq edhe njerëzor dhe human. Me 29 dhjetor 2021, Dhurata, pjesë e jona plotëson 69 vite jetë. Dëshira është të vazhdoj frymëmarrjen, në prehërin e familjes së saj, të bashkshortit Yllit, të vajzës Edlirës, të djalit Indritit, të dhëndrrit Visit, të nuses Gertës, të nipit dhe mbesave. Po përpiqet fort t’ia dalë. Ka kaluar shumë jetë. Ka bërë disa operacione dhe fitorja ka qenë në anën e saj. Tani tjetër luftë me jetën. Tjetër sfidë. Tjetër e papritur dhe tjetër dilemë.

Ku synon pas kësaj mendimi im? Dhe dy ditë jemi në ndarjen nga një vit, duke u përgatitur ti hapim derën një viti tjetër, që quhet viti i ri. Është 2022. Njerëzit vrapojnë të bëjnë harxhime. Të blejnë çka munden, e si munden. Kërkojnë të ndërtojnë tavolina tërheqëse të kësaj mbrëmje, që jo rrallë quhet edhe magjike. Të tjerë e kërkojnë tryezën në lokale në male dhe në fushë, në bregdet dhe në kodrina. Ku të munden. Aty ku ndjejnë rehati, që quhet edhe relaks. Bëjnë harxhime. Duan të gëzojnë. Duan kënaqësi, e duan hare. Ndër të tjera kanë edhe arsyje të fortë. Kovidi i ka lënë të paprekur, ose i ka ciflosur fare pak.

Por mos harrojmë ka të tjerë, që këtë dekik të ndryshimit të kalendarit e kanë rëndë ta hedhin një kupë. Të afërm, miq, shokë, mikesha apo shoqe, nuk jetojnë. Dhimbje për ta. Por jo pak janë edhe në spitale dhe s’kanë pse të nguten për tryeza. Dikush është me serum, një tjetër duke marrë gjak, një tjetër e një tjetër, duke luftuar për mbijetesë. Në spital është edhe Dhurata e jonë. Don të gëzojë dhe të gjithë lutemi që të mos i mungoj tryezës tradicionale. E duam këtë, të gjithë e duam këtë. Unë besoj se kështu do të ndodhë. Shpresojmë shumë.

Kam marrë rrugën për në spitalin e Durrësit dhe ndodhem në reaminacionin e zemrës. Kam me vete një kartolinë për Durrësin, duke zgjedhur një pamje tërheqëse. Në atë foto ka shumë dritë, ka shumë ajër. Duket deti dhe anijet mbi sipërfaqen e ujit. Duken banesa të larta. Është mbrëmje dhe ndriçimi është më shumë se joshës. Ndër të tjera kam shkruar mbi këtë kartolinë:

– Dhurata e dashur! Kurajo dhe forcë për mbijetesë. Ti do t’ja dalësh si në shumë e shumë “tërmete” që ke kaluar në jetë. Ke hequr pjesë të trupit. Bisturia të ka ndërruar edhe valvulat. Limfat po të mundojnë, por ti lëviz, që kam dëshirë të të krahasoj me atë të një vajze të re. Ti mundimin e ke kthyer në bast me veten. Dhe mbetesh Dhurata, që zoti të ka dhuruar jetën dhe qendresën. Dritë ka në këtë kartolinë dhe dritë të uroj të kesh edhe më tej në jetë. Ndriçimi llamburitës, të shoqëroftë me një ndriçim të mbijetesës. Forca Dhurata! Ti do t’ia dalësh!

Ndodhem në reaminacion. Është 69 vjetori i lindjes së Dhuratës, gruas së vëllait tim të madh Yllit. Ulem në një stol. Dhe ia lexoj motrës tonë tekstin e kartolinës. Zëri më dridhet dhe lotin nuk e disiplinoj dot. Po ashtu edhe Dhurata. Po ashtu edhe Ylli. Po ashtu edhe Edi. Po ashtu edhe Nini.
Edhe dy ditë ndërrohen vitet. Largohet njëri, e tjetri vesh kostumin e dhëndërrit të vitit të ri. Ndodhem në reaminicionin e repartit të kardiologjisë në spitalin e Durrësit. Bëhen plane për t’u gëzuar. Por Dhuratën e kemi në spital. Sa e vështirë qenka! Por Zoti që krijoi njerinë, i bëri një dhuratë të çmuar: i dha forcën, i dha besimin, i dha kurajon, i dha qendresën, e çfarë nuk i dha.

Dhe Dhurata Qesja këto i di. M’i tha mua. E ka demostruar jo në pak raste.
Lexoj tekstin e kartolinës dhe Durrësi dridhet në duart e mia. Shtyllat e ndriçimit lëvizin, e anijet në det tundin pajisjet mbi direk. Një lot ma zen pamjen. Ndodhem në spital, duke menduar mbrëmjen e 31 dhjetorit 2021. Dhurata s’ma do mëndja të jetë këtu. Ajo do të dalë. S’ka serum! S’ka hedhje të reja gjaku në damar! S’ka pengesë për të mos gëzuar! Ajo do të jetë në tryezën e saj. E përfytyroj që tani. Ka marrë gotën e verës në dorë. Pranë ka Yllin, fëmijët e saj. Gjithçka do. Është viti i ri. Përplasen gotat, duke e ndarë të mirën nga e keqja, duke e përzënë këtë të fundit.

Foton e zgjodha me këst. Jemi duke pushuar në Voskopojë. Janë dy kunatat së bashku. Shkojnë shumë mirë. Është Kostandina. Është edhe Dhurata. Po është edhe Geana, zemra e gjyshit, për të treguar vazhdimësinë. Duan gjysh, por duan shumë edhe gjyshe. Kështu dëshiroj të jemi gjithnjë.

29 dhjetor 2021! Dhurata 69 vjeçe. Njëqind motër!
31 dhjetor 2021! Është viti i ri.
Gëzuar motër!
Durrës: 29 dhjetor 2021