Nga BUJAR QESJA

Nuk është se do të bëj ndonjë filozofi të veçantë në këtë shkrim. Thjesht me intuitën e një profesionisti të hershëm të letrave, kapa një dukuri të këtyre ditëve. Mendova se ia vlen ta përgjithësoj, ashtu sikundër e gjykoj se është e tillë. Kam folur e shkruar për Flamur Jakupin, por ky këndvështrim më detyron ti fokusohem përsëri. Ngarkesat politike pro këtij e kundër atij, luftërat kundër njerëzimit, përpjekjet për t’i mbijetuar kovidëve e lloj lloj virozave, na kanë mbyllur brenda vetes si një guackë kërmilli.

Por si një shans për të ngacmuar mendimin, se gjatë ditëve lëvizin edhe shembuj që mbjellin optimizmin, në këtë bahçenë tonë të bërë drangull nga hallet dhe një lloj pesimizmi, që do sdo e kemi. Del një Flamur Jakupi si nga fundi i dheut, len Italinë ku jeton prej 25 e kacafiu vitesh dhe vjen të trondisë këtë përgjumjen tonë. Mbase ai nuk e kupton se i ka dhënë vetes këtë mision, por është leximi im kështu. Dhe me këtë mëndjen time që po e bluaj, them se kam të drejtë.

Flamuri, shok fëmijërie në një rrugicë të lagjes së vjetër nr. 4 dhe të rrugës po të vjetër “Nail Kondi”, shok dhe koleg në pallatin “Rinia”, nuk na ka harruar. Bëri një libër “Kujtesë” që hedh gjithçka të punëve të bërë në këtë pallat. Por tenton të sjell tjetër “Kujtesë” me anë të fotove, për një traditë dhe për një përpjekje të përbashkët, që është bërë këtu e 30 e ca viteve të shkuara.

Bërtiti me të madhe:

-Hej shokë e miq, më ndihmoni të bëj të vlefshme një “Kujtesë”, apo një memorie, që ka të bëj me jetën kulturore të një qyteti!

Ca e dëgjuan, e ca jo por ai nuk u tut. A duhej të merrej Bashkia me të, apo ajo e kulturës aty, nuk e kam në plan ta trajtoj tani. Po del një durrsak i mirë Aurel Kaçulini, djali i mjekut të njohur, i një fisniku të madh si Zef Kaçulini dhe i thotë Flamur Jakupit: -Do të ndihmoj unë! Dhe e ndihmoi.

Nuk është kryesorja kjo, ku duhet të dal. Flamur Jakupi me 80 foto, lëvizi një qytet. Shkundi një memorie. Po na mblodhi edhe ne miqve, shokëve, bashkëpunëtorëve, bashkëqytetarëve për ta ndarë këtë kujtesën tonë së bashku. Na vlerësoi, na shprehu mirnjohje, por ndamë edhe dy fjalë. Me një gotë verë në duar dhe me fjalë malli në buzë, qëndruam dhe u poqëm me njëri tjetrin. Sa u gëzuam! Rrofsh o Flamur që na mblodhe! thamë të gjithë.

Po bën një muaj që ky Flamur Jakupi, lëviz për çdo ditë. Ai është vërtet në Itali, po mëndjen, zemrën e ka në qytetin e tij të bekur, në Durrës. E don punën. E don familjen. Por don shumë edhe Durrësin. Gjithashtu don shumë edhe durrsakët. Një kafe, një gotë ujë dhe shumë kujtime. E malli na ka pushtuar të gjithëve, por harrojmë sa është e nevojshme ta ndajmë këtë ndjesi së bashku. Dhe këtë të harruar tonën, na ka ardhur si një dorë e bekuar Flamur Jakupi që të na e kujtoj.

-Hë Bujar, u lodhe! Çthonë punët? Të lexoj dhe më bëhet qejfi që shkruan për qytetin tonë. Erdha t’ju marr së bashku me Ylli Ramzotin, të pimë një gotë verë buzë detit e të ndajmë kujtimet tona për një kohë të artë të artit durrsak, që dhamë ndihmesë jo të vogël të gjithë ne.

Dhe shkuam tek një shtëpi lokal, në pronësi të një djali artdashës. Quhet Edmond Kaçi dhe lokalit i ka vënë mbiemrin e tij “Vila Kaçi”. Me detin përballë, me kujtimet dhe mbresat në zemër kaluam orë të magjishme, pse jo edhe të paharruara. Dhe kur u ndamë thamë:-Rrofsh o Flamur Jakupi, që ta bëri Zoti mbarë!

Pse vetëm me ne kjo gjë? Vështroni fotot që kam mbledhur. Flamur Jakupi nuk e di këtë gjë. Është zanati im që më shtyn kështu. A nuk është për tu parë gjatë, një pamje që më preku shumë? Flamur Jakupi i takoj një për një dhe i bashkoi për një kafe shpirti. Kë? Kolegët dhe bashkëunëtorët e vjetër. Janë aty Naim Nova, Haxhi Rama, Myftar Kurti, Isidor Dhimitriadhi, Miltiadh Driza. Gëzim në fytyrat e tyre. Sa mund të kishin pa u mbledhur? Nuk mbahet mënd dhe në këtë format jo se jo.

Kam pamje që Flamur Jakupi është me profesorin dhe matemacionin e njohur Tasim Besho, doktor Anastas Qerimi, me regjisorin e famshëm Enver Plaku, me artistin tonë të paplakur Mirush Kabashi, me ortopedin, djalin e babë Cenit Pëllumb Bulkun, me mjeshtrin e bulmetit, inxhinjerin e madh Nazif Tivarin, me Aurel Kaçulinin, këtë botues konkurues etj. etj. Dhe sa foto kam dhe padyshim nuk mund t’i vija të gjitha.

Brenda atyre pamjeve është dhënë një mesazh: dashuria dhe respekti për njerëzit. Flamur Jakupi me ditët durrsake që qëndroi na shkundi, na kujtoi që ditët e vështira ashtu si dhe ato të mirat kalohen me miq, me shokë. Në takimet e organizuara nga Flamur Jakupi, pa bujo por me zemër në dorë, mësuam shumë. Jo se nuk e dinim këtë, por pak jemi munduar për ta bërë kështu si Flamur Jakupi. I shkathët djali i mirë i rrugicës dhe lagjes time. Është 72 vjeç, por shumë energjik. Kështu ishte edhe kur punonte në porto. Kështu ishte edhe kur punoi në pallatin “Rinia”. Kështu ka mbetur edhe tani. Ashtu siç ka emrin, ai mbeti një Flamur në ditët durrsake, duke na dhënë mesazhe të misioneve të paqme, ku respekti, mirnjohja dhe dashuria njerëzore vlejnë më shumë se çdo gjë.

Ne këtu ishim Flamur Jakupi, por ti kërkove dhe na gjete. Na bashkove. Na dhe melhemin e humbur dhe na tregove se kështu duhet të jemi me njëri tjetrin. Të mos harrojmë miqësinë e vjetër, ajo miqësi që na mbetet në vitrinat e muzeut të ndërgjegjes të secilit. Ti na tregove Flamur Jakupi, jo se nuk e dinim, por me pak dashuri, me pak kujdes, me pak vëmëndje, me pak inisiativë dhe me shumë mall, ne mund të gjejmë shoshoqin edhe pas largimit tënd. Dhe ky është një mësim i madh, një mesazh që vlen të mbetet gjithnjë i freskët.

Dhe për këtë, të faleminderit Flamur Jakupi!

Durrës: 3 prill 2022