Nga BUJAR QESJA
Që jemi ndarë në dy grupe, kjo tashmë as nuk diskutohet. Njëri që ka mbetur në dheun amë dhe tjetri në dhe të huaj. Por që jemi dy gjysma, që bëjmë të plotën. Këtë e kuptojmë, e prekim kur takohemi njëri me tjetrin. Kemi mall. Kujtojmë vitet që kemi qenë bashkë, e tani në hartën e shpirtërave tanë janë vendosur flamuj shtetesh, ku identifikojmë miqtë, shokët dhe të afërmit. Kujtimet dhe malli na dërrmojnë, e kjo bie në sy pasi ndahemi nga këta miq dhe nga këta shokë. Pyesim pa fund dhe urojmë për mbarësi.
Në këtë të dielë, të 26 dhjetorit 2021 drejt meje lëshohet një djalosh me trup të bëshëm dhe shumë i bukur. Në gjatësi ma kalonte, por edhe në gjërësi gjithashtu.
-Xhaxhi Bujar, xhaxhi Bujar! Nuk po më njeh. Jam Kristiani, djali i Spiro Hotovës!
Më hodhi duart në qafë, sikur të isha vetë Spiro. Ishte bërë goxha djalë. Është djali ynë! Është djali i shokut tonë të mirë dhe të paharruar Spiro Hotovës!
Familjen e Spiro Hotovës e ndoqën fatkeqësi të mëdha. Teksa emigroi në Itali dhe u akomodua në San Benedeto me 2 dhjetor 1997, në korsinë ku udhëtonte me makinën e tij Spiro, një italian i dehur e godet përballë. Kështu na u largua nga jeta Spiro Hotova, nga basketbollistët më të spikatur të “Lokomotivës” dhe më i miri në periudhën 1978-1988. Kur Spiro ndali frymëmarrjen, ky Kristian ishte 6 vjeç. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, largohet nga jeta pas një sëmundje të pashërueshme, e motra e Kristianit, Lorena e bukur 11 vjeçare. Demoni i tmerrshëm i vdekjes, nuk u mjaftua me kaq. Merita, gruaja e Spiro Hotovës, shkon në parajsën e saj duke e lënë krejt të vetëm Kristianin.
Çfarë fatkeqësish! Sa pa fat ky Krisitian i pashëm dhe me një trup të gjatë si lis, tamam si i jati Spiro Hotova. Nuk mban mënd asgjë nga i jati. Mjafton me ato që i flasim ne. Ai gëzohet, por edhe trishtohet që se ka më në krah. Pa nënë, pa baba, pa motër. I vetëm në familjen e tij. I janë bërë krah të afërm, tezet. Por edhe halla e tij zonjë, Belina Hotova. Por edhe e gjyshja 95 vjeçare Nënë Ollga, aq e dashur dhe e shtrenjtë për nipin e saj. Por edhe Arqile Avrami, i shoqi i Belinës, i është bërë baba i dytë Kristianit.
Kristiani, natyrë inteligjente, mbaroi studimet e larta në Universitetin e Bostonit në Amerikë për inxhinjer konstruktor. Punon dhe jeton në San Benedeto del Tronto – Itali. Sapo plotësoi tre dekada jetë dhe mbetet optimist për të ardhmen e tij.
-Xhaxhi Bujar, xhaxhi Bujar! Jam Kristiani, djali i Spiro Hotovës. Po Kristian, je në derë të mbarë këtu ku trokite. Je në derën e hapur të Spiro Hotovës. Xhaxhi Bujari dhe shumë të tjerë, e kanë të hapur derën për ty Kristian, pasi është dera e hapur e babait tënd, atë derë që kur ishte me frymë, e mbante të hapur për miqtë e për shokët.
Një foto dhe mall me këtë 30-të vjeçar. Është Kristian Hotova, djali i Spiro Hotovës.
Mirardhsh Kristi, djali ynë i bukur! E bukur qoftë jeta jote. Ke mbetur një, nga familja e origjinës. Por nuk je dhe nuk do të mbetesh kurrë i vetëm, nga familja e madhe e miqve dhe e shokëve të Spiro Hotovës. Kështu e ngjallim Spiron. Kështu të japim forcë edhe ty Kristian.
Gëzuar vitin e ri 2022, Kristiani ynë i dashur! Kujtimi për familjen tënde mbetet parësor. Por edhe dashuria e ne të tjerëve, nuk është më mbrapa. Je dhe do të mbetesh gjithnjë Kristiani i mirë, djali i Spiro Hotovës.
Durrës: 26 dhjetor 2021