Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Kur qëndroja këto ditë me Astrit Tahirin, një koleg i kahershëm i gazetarisë, nuk mund të përballosh kujtimet e së shkuarës. Aq më shumë kur bëhet fjalë, për dukuri dhe shkëndija të historisë së publiçistikës durrsake. Futesh në tunelin e thellë të reagimit dhe aty shikon ndriçimin verbues të traditës. Kjo të mbush me krenari dhe të jep një kurajo për të folur me zë të lartë:
-Ne nuk vimë nga hiçi. Kemi skalionin e parë të gazetarisë, që na vendosi në një mburojë përballuese, për të thënë që jemi edhe ne.
Dhe në çast u ngrita në këmbë dhe sikur të kisha gjetur një thesar të humbur, fola me zë jo të ulët: Palush Tati!
Po, po, Palush Tati! Më parë ka qenë shok dhe koleg me babain tim Xhafer Qesja. Më pas u bë një mik i ngushtë dhe koleg edhe me të birin. Se ç’kanë patur një si magji këta të mënçurit tanë. Ishin shumë të thjeshtë, popullorë, gojëmbël, të qeshur, kurajozë, punëtorë të mëdhenj, të palodhur, sfidues. Nuk i kuptoje, se qenë jo rrallë edhe të mërzitur. Ishin mjeshtra të zanatit dhe nëpërmjet tyre, Durrësi bëhej i njohur dhe i rritej emri.
Palush Tati! U lind me 27 qershor 1928, në një familje tregtarësh të vegjël. I jati Mihali, kishte hapur një dyqan kinkalerie dhe ishte lidhur në tregti me italianët e përtej detit. Së bashku me të shoqen Evgjeninë, zgjeruan familjen e tyre me djemtë Dhimitër, Sotiraq, Vlash dhe Pavli Tatin dhe të vetmen vajzë Pirinën. E nëse gërmon për të ditur, si u ndërtua emri Palush, të thonë që është bashkëngjitje Pavël dhe Luçi. Kështu i thërritnin me përkëdheli dhe ky Palush mbetet emri i kujtesës dhe përjetësisë, së këtij miku të thekur dhe kurdoherë i freskët në arkivën e mëndjes.
Kur pushka ishte më e madhe se trupi, Palush Tati është në luftën për çlirimin e Atdheut. Në brigadën 22-të, është njohur edhe me partizanin më të vogël Met Hasën. Dhe Palush Tati ka qenë prezent, ku në një zonë të Pukës Met Hasa, një dukuri mitike e luftës partizane, humbet jetën. Durrsaku Palush Tati shikohet të luftojë edhe për çlirimin e Shkodrës, duke i ndjekur pushtuesit deri në Vishegrad të Jugosllavisë. Kjo është edhe arsyeja, që ai është vlerësuar “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ”.
Pasi ndoqi disa kurse për gazetari, pasi mbaroi studimet e larta për Histori –Gjeografi dhe pasi punoi për pak kohë si mësues, tërë kohën tjetër Palush Tati ia kushtoi Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Për mëse tri dekada, ai ishte korespondent i Agjencisë Telegrafike Shqiptare për Durrësin, Krujën dhe Elbasanin. Dhe këtu bëri emër dhe mbiemër. Dhe këtu vulosi historinë më tërheqëse të gazetarisë, duke u kthyer në një dimension të veçantë, ku tradita e publiçistikës durrsake e vendosi në krye të saj.
Me Palush Tatin zë fill tërë ai brez i artë gazetarësh durrsakë, malli na tund dhe na shkund dhe vendos veten time në një pozicion nderues të paktën ti përmënd emrat. Me Palushin tonë, plotësojnë grupimin pikant të gazetarisë së hershme Shaban Hidri, Haxhi Shima, Sotiraq Gjordeni, Thanas Qerama, Javer Beqiraj, Sul Cërloj, Thoma Qendro dhe më të rinjtë Hasan Ulqini, Moikom Zeqo, Thanas Mustaqi, Teuta Shahini, , Bashkim Hoxha, Petraq Risto, Ilia Dedi, Astrit Tahiri, Gëzim Kabashi e ndonjë tjetër.
Me një motor “Jawa”, Palush Tati e kërkonte lajmin në botën aktive dhe të gjallë njerëzore. Miq e shokë kudo. I barabartë me këdo. I aftë dhe i zoti si ai. Durrësi nëpërmjet punës së Palush Tatit, ishte nga më të njohurit në Republikë. Ka patur shumë humor. “Edhe këpucët lëviznin vetë, kur e “shikonin” që jam ngritur për të ikur në punë”, më tregonte një ditë Palushi.
Kam lëvizur edhe unë me motorin e Palush Tatit, pë tu aftësuar në gazetari. Kishte krijuar përvojë, e ndërtuar një komunikim të magjishëm me njerëzit. Atë e njihnin të gjithë, ashtu sikundër ai i njihte të gjithë.
Përballë shatrivanit të qytetit, ishte një godinë e vjetër, por që provokon kujtesë. Në katin e dytë të saj, me shtroje dërrasa të hershme, ishin tre dhoma. Në secilën punonin tre miq të ngushtë, sipas shtypit që përfaqësonin. Ata ishin Palush Tati, Thanas Qerama dhe Sotiraq Gjordeni. Që të tre nuk jetojnë, por absolutisht nuk zbehet vëmëndja e jonë ndaj tyre. Por Palushi respektohej shumë. Jo rrallë mbetesha edhe unë, pjesë e kësaj trioje tingëlluese të publiçistikës profesioniste durrsake. Dhe mësova shumë nga ata. Ata ishin dhe mbetën. Ata janë dhe do të jenë gjithnjë.
Ndonëse shumë më e re nga i shoqi, Neta Pastërma, u bë bashkëshorte e mrekullueshme e Palush Tatit. Neta e mirë dhe një zonjë e urtë, lindi tre fëmijë: Artanin, Lajdën dhe Almën. Por viti 1991 do të shënonte dramë në familjen Tati. Teksa punonte me vinçin e tij në Ndërmarrjen e Çfrytëzimit të Makinerive të Ndërtimit, këputet një krah i tij dhe Artani përplaset në tokë. Ishte fatale. Gjëmë e madhe. Familja Tati mbeti me dy vajzat: Lajden dhe Almën. Neta punoi shumë vite në spitalin e Durrësit si fizioterapiste. Me një shtëpi me sipërfaqe modeste, punonte Palush Tati pa iu dëgjuar zëri i gojës. Lajda kujton:
-Për vitin e ri, makina e shkrimit e babit ngjasonte me një shtypshkronjë. Ai bënte urimet, duke filluar nga komshijtë, e përfunduar tek miqtë dhe shokët më të largët. I donte njerëzit dhe ato ia kthenin me të njëjtën monedhë.
Palush Tati kishte hobi pikturën. Si durrsak preferonte edhe notin. Lexonte shumë. Axhanset e ATSH-së ishin të mbushura me kuriozitete shkencore, kulturore, sportive e Palush Tati futesh thellë në leximin e tyre. Pjesë e planifikimit ditor të Palushit, ishin edhe takimet me miqtë dhe shokët. Gjithnjë e shikoje të bisedonte e të pinte kafe, të bënte humor e të ngiste muhabetin me Agim Kavajën, Zoi Shahinin, Astrit Tahirin, Sul Cërloin, Isidor Dhimitriadhin, Shaban Hidrin, Haxhi Shimën, Sotiraq Xhimitikun, Arjan Neçon, Gëzim Kabashin, Ibrahim Novën, Agim Fishtën, Gaqo Spirun, Ilia Toçin e shumë e shumë të tjerë. Ai njihte gjithë Durrësin dhe ishte pjesë aktive e qytetit.
Për merita pune, Palush Tati organizohet në një delegacion gazetarësh në RP të Kinës. Pjestarë në të kolegë shumë të nderuar, shtylla të gazetarisë kombëtare si Hamit Boriçi dhe Hamdi Sallaku. Edhe ato kishin kënaqësi, të shoqëroheshin me një shtyllë të publiçistikës durrsake, siç ishte dhe mbeti Palush Tati.
Ishte ngushtë me shtëpi, e ndërsa u përpoq shumë të merrte pronën e hershme që i la babai. U lodh shumë për këtë.
Një sëmundje e papritur iu çfaq. Por edhe se kështu, iu gëzua Kristit, vajzës së Lajdas, mbesa e parë e Palush Tatit. U gëzua shumë kur fillimisht mori një dyqan, ku nisi të tregtoj si dikur i jati Mihali. Kujtime, mbresa, emocione të pafund. Pse jo edhe një lot gëzimi, por edhe mosharresë ndaj prindërve të tij. Por shtëpiat, familja i mori më vonë. Palush Tati nuk arriti ta shijonte pronën e të parëve. Por shijoi Kristin, mbretëreshën e gjyshit. Janë katër nipa dhe mbesa, por Palushin iu gëzua vetëm njërës, Kristit që studion për arkitekturë.
Një jetë të konsumuar me luftë, me paqe, me dashurinë dhe përkushtimin ndaj profesionit, me kurajon e përballimit të vështirësive, me ndërtimin e një familje me kulturë qytetare tradicionale, duke qenë i aftë të ndërtonte shoqëri dhe miqësi të sinqerta, e t’i shijonte ato. Ai ia ngriti edhe më shumë nderin fisit të njohur të Tatëve të Durrësit, që kanë brenda protogonistë të kulturës dhe fisnikërisë durrsake. I mësoi fëmijët me edukatë dhe kulturë, që t’ia shtonin autoritetin e të zinin pozicione të merituara në shoqëri.
Dhe fëmijët e kujtojnë babain e tyre. Dhe ne e kujtojmë mikun, shokun dhe kolegun tonë. Një jetë itensive dhe me probematika, e lodhën Palushin tonë. Sëmundja po përparonte, e trupi i tij po mpakej dita ditës. Pranvera e dytë ishte në mesin e saj. Ngjyrat e saj joshëse, po e ndiznin atmosferën. Në shtëpinë e tij modeste, m’u pranë çentralit të vjetër të Durrësit, po kalonte minutat e fundit të jetës, njëri prej titullarëve të gazetarisë durrsake, ndër krijuesit e saj. Neta, Lajda, Alma dhe të afërm të tjerë, tek kryet e të dashurit të tyre.
18 prill 2003. Palush Tati ndali frymëmarrjen, por kurrë kujtesën dhe detyrimin moral e qytetar ndaj tij. 19 vite pa Palush Tatin, por përjetësisht me punën dhe ndihmesën e tij, për zhvillimin dhe përparimin e kulturës dhe publiçistikës durrsake.
Sot po rritet një brez i ri, i cili e ka për detyrë të njohë dhe të prekë historinë e parardhësve të tij. Njëri prej të cilëve është Palush Tati, Palushi ynë i mirë, puna e jashtëzakonshme e të cilit, do të mbetet kurdoherë mburrja dhe krenaria e jonë.
Durrës: 15 mars 2022