TIRANE – Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, e sheh veten në një pol të tretë me LSI-në dhe FRD-në në zgjedhjet e 23 qershorit. Koalicioni i PS-së me 26 parti, sipas Dules i ngjan një panairi ku çdo parti kërkon të shesë veten me një çmim më të lartë. Dule jep arsyet pse nuk iu përgjigj pozitivisht ftesës së Ramës për të qenë pjesë e kësaj tryeze. 

Ju munguat në tryezën e parë të partive opozitare të thirrur nga kryetari i PS-së, Edi Rama. Arsyeja e kësaj mungese ishte teknike, apo ka të bëjë me vetë koalicionin? 

Më duhet të sqaroj faktin se në momentet aktuale, PBDNJ nuk është pjesë e asnjë aleance apo koalicioni. Pas zgjedhjeve të 2009-s, PBDNJ, nga pozitat e veta modeste si parti e dytë e opozitës, ka bashkërenduar në të gjitha ato aspekte që ndante të njëjtat qëndrime në jetën e saj parlamentare, ashtu sikundër ka ndjekur rrugën e vet në të tjera ku nuk ka pasur qëndrime të përbashkëta. Në momentet aktuale, PBDNJ është duke u dhënë dorën e fundit aspekteve të veta programore, me të cilat do të prezantohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe në të njëjtën kohë, është në bisedime me forcat e ndryshme politike për të parë se cilat do të jenë rrugët më të efektshme të kandidimit në këto zgjedhje. 

Mund të ketë një koalicion të mundshëm tuajin me LSI dhe FRD, sa afër një koalicioni të tillë jeni? 

Nuk përjashtohet edhe kandidimi më vete. Por, ne do të jemi në atë kah që do të maksimalizojë votat tona në përfaqësimin parlamentar, por mbi të gjitha, do të jetë garancia programore për politika qeverisëse efikase për integrimin e vendit. Është ende herët për ta thënë një aleancë me LSI dhe FRD, por nuk do të vonojë edhe shumë. Koha po ikën dhe afatet ligjore janë më të afërta në zgjedhjet e sivjetme, dhe besoj se do të kemi shumë shpejt konkluzione. Sot zhvillimet politike e kanë bërë realisht të mundshëm një zhvillim të tillë, por s’duhet harruar se mundësitë teorike duhet të shoqërohen edhe me veprime konkrete politike. Këtu fillojnë vështirësitë, sepse e gjithë klasa politike e vendit, përfshirë dhe PBDNJnë, nuk e ka kulturën e bashkëpunimeve programore, të koordinimit të qëndrimeve në aspektet kryesore dhe të ushtrimit të politikave. 

Kur thoni mosrespektim të programeve, edhe ky pol nëse krijohet do të jetë një bashkim numerik dhe presioni ndaj dy poleve të tjera, apo do të jetë mbi bazë programesh? 

Në situatën politike që gjendet vendi, është lehtësisht e konvergueshme në aspektin programor. Është vetë shoqëria ajo që i imponon me vullnetin e saj, ku mbi 95%e qytetarëve të vendit shprehen pa rezerva në favor të integrimit sa më të shpejt të vendit në BE, nuk mund të ishte ky për të gjithë palët në një koalicion të tillë prioriteti i prioriteteve?! Është e kuptueshme që PO. Në të njëjtën kohë, aspektet e tjera që kanë të bëjnë me jetën politike dhe ekonomike të vendit janë të atilla që mund të sjellin më afër sa mund të mendohet në pamje të parë forca politike që karakterizohen në aktivitetin e tyre politik nga fryma centriste. 

Mungesa juaj në tryezën e koalicionit të thirrur nga PS ishte qëndrim ndaj mënyrës se si është bërë opozita deri tani? 
Nuk do të kishim asnjë rezervë pranie dhe kontributi në një koalicion, pasi të ishte rënë dakord paraprakisht për bashkëpunime konkrete. Takimet formale pa përmbajtje dhe pa objektiva, thjesht për të krijuar sensacion mediatik, nuk janë në natyrën e partisë sonë. 

Por, ju keni vendosur kusht që nuk do të bashkëpunoni me ato parti që artikulojnë teza nacionaliste. Ishte kusht ky për tryezën e thirrur nga Edi Rama? 

Nuk është në natyrën tonë të vëmë kushte dhe të kondicionojmë. Ne shprehim atë që është e vetëkuptueshme dhe e vetënatyrshme. Sarkozi do të kishte mundur të kishte më shumë shanse për të qenë fitues në zgjedhjet presidenciale, nëse do të kishte zgjatur dorën e bashkëpunimit tek ekstremi i djathtë i Le Pen, por nuk e bëri këtë, sepse janë disa parime që janë mbi qëllimet utilitariste të politikës pragmatiste. PBDNJ sigurisht që nuk mund të ishte pjesë e një të tëre, e cila përmban edhe segmente të cilat janë problematike në konceptimet dhe qëndrimet e tyre me vizionin europian, me demokracinë funksionale dhe shtetin e së drejtës. Është gjithashtu e një natyre jetike marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe kontributi i vendit tonë në stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit. Duhet të ishim më të vëmendshëm për faktin se për herë të parë pas shumë vitesh ra një kambanë e panjohur në anët tona. Brukseli na tërhoqi vëmendjen për politika nacionaliste dhe kërkoi distancimin e të gjithëve prej tyre në një kohë që për vite të tëra është vlerësuar kontributi i vendit tonë për stabilitetin. Është momenti që edhe forcat e mëdha politike të ndërpresin flirtin e tyre për një grusht votash me forcat të cilat që sot janë problematike, por edhe më shumë të tilla do të bëhen në të ardhmen.