Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule në një deklaratë për mediat nga kryesia e Kuvendit denoncoi sot probleme sipas tij me Censusin e popullsisë.

“Prej datës 18 shtator ka filluar censusi 2023 me shqetësim po ju prezantojmë gjetjet e aktivistëve të PBDNJ-së. Ka shumë raste që regjistruesit në kundërshtim me ligjin nuk e kryejnë regjistrimin në tabletat përkatëse, por mbajnë shënime se do t’i hedhin më vonë, shkelje e rëndë e procedurës. Nuk lihet njoftim me shkrim në ato banesa kur nuk gjendet një qytetar, por edhe më keq, kemi raste të denoncuara kur nuk u drejtohen pyetjet mbi përkatësinë etnike, gjuhën dhe besimin fetar. Kur qytetarët duan ata u thonë që është fakultative. Fakultative është përgjigjja e qytetarit,  pyetja është detyruese. Në shtëpinë e drejtuesit më të lartë të organizatës OMONIA, regjistruesi po plotësonte dokumentacionin e kryefamiljarit dhe regjistronte të gjithë pjesëtarët e familjes, regjistruesi mohonte të regjistronte pjesëtarët e familjes se nuk është këtu, ndërkohë që ligji i jep të drejtë të regjistrojë pjesëtarët e familjes dhe të deklarojë vendndodhjen e tyre. Kemi të bëjmë me shkelje”-tha Dule.

Ai u bëri thirrje minoriteve etnike dhe fetare që të deklarojnë gjuhën amtare dhe besimin fetar, ndërsa INSTAT-it i kërkoi që të ndërhyjë për të mos e shëndërruar në farsë këtë proces.

Po ashtu Dule i bëri thirrje BE që të monitorojë procesin në mënyrë që ky census të mos jetë i dështuar sa i përket minoriteteve etnike dhe fetare në vend.

“Është për të ardhur keq që edhe zyrtarë të lartë shtetërorë dhe nëpunës të administratës ngrenë shqetësime të tilla që vihen në kundërvënie të hapur me frymën europiane. Ju drejtohem të gjithë qytetarëve dhe minoritete e komuniteteve fetare në vend të deklarojnë nëse është vullneti i tyre gjuhën amtare dhe besimin fetar. Është një instrument i pazëvendësueshëm për shtetin e qeverinë për të ushtruar politika me standarde bashkëkohore e shtrij këtë thirrje te INSTAT që të ndërhyjë te regjistruesit që të shpëtojë procesin nga shndërrimi i tij nën farsë e parodi. I bëj thirrje BE ta ndjekë këtë proces dhe të shmangë çdo aspekt negativ që të mos jetë edhe ky cens i dështuar sa i përket minoriteteve etnike dhe fetare në vend”-theksoi Dule.