DURRËS, 21 maj 2015 – “Unë jam fituese sipas sondazheve tona”, deklaroi më 20 maj 2015 në TV “Vizion Plus” kandidatja e së djathtës Grida Duma-Shqina. Ajo e konsideroi si pozitiv sondazhin e porositur nga TV “OraNews”, ku ishte 2 pikë më pak se rivali i saj, pasi marzhi i gabimit luan me 3 për qind. Gjithsesi përfaqësuesja e opozitës vuri në dyshim metodologjinë e përdorur me anë të pyetjeve me telefon. Duma-Shqina konfirmoi se sondazhet e brendshme të partisë janë në favor të saj.
Po ashtu dhe kryetari i bashkisë në detyrë dhe kandidati për herë të tretë i së majtës Vangjush Dako, një ditë më parë, më 19 maj 2015, në të njëjtin ekran, bëri të ditur se nuk u beson sondazheve të jashtme edhe kur e nxjerrin favorit edhe kur e nxjerrin poshtë rivales. Sipas Dakos, në sondazhet e brendshme ai del fitues më 21 qershor 2015.
/red. pol. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/