8 nëntor 2015 – Partia Demokratike bëri sërish sot thirrje për pavlefshmërinë e mandatit të deputetes socialiste Valentina Leskaj, duke denoncuar djalin tjetër të saj. Në një deklaratë për mediet, sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD Grida Duma, tha se drejtori i OSHEE-së Ardian Çela i ka dhënë para djalit tjetër të nënkryetares së Kuvendit, Besnik Leskaj, për t'i bërë një trajnim 4-mujor kundër stresit punonjësve të OSHEE-së. 

“Pikërisht nga paratë e gjakut të shqiptarëve të mbledhura me dhunë e me kërbaç, me burg, kryehajduti i Edi Ramës, Ardian Çela, i jep paratë e të pamundurve djalit tjetër të zonjës Leskaj, për mirëtrajtimin ndaj stresit, për punonjësit e OSHEE-së.
700 milionë lekë merr djali i deputetes, i nënkryetares së Kuvendit, për të trajtuar stresin e OSHEE-së, ndërkohë që kjo bandë e Edi Ramës shkaktoi tronditje e dramë tek mijëra familje, tek mijëra të pamundur, duke i lënë në errësirë, duke i dërguar në burgje duke u marrë dhe jetën nga arroganca e trajtimi çnjerëzor”, deklaroi Duma e cila paraqiti edhe dokumentet e mëposhtme.

“700 milionë lekë për ABKONS, për Besnik Leskaj, për një trajnim 4-mujor të punonjësve.

175 milionë lekë në muaj, ose afërsisht 6 milionë lekë në ditë i jep Edi Rama djalit të zonjës Leskaj, nga paratë e gjakut të shqiptarëve të marra me dhunë e me kërbaç prej OSHEE-së. Fondi limit ishte 720 milionë lekë, dhe ofertuesi i vetëm është djali i tjetër i zonjës Leskajt me 700 milionë lekë. Gjithçka e mirëkalkuluar që paratë të ndahen, të shkojnë sipas porosisë së shefit të madh.

Ju kujtojmë se për zonjën Leskaj ka një kërkesë në Kuvend për mbarimin e mandatit, pasi djali tjetër i saj ka marrë hekurudhën Ballsh-Fier-Vlorë për 25 vjet, dhe kjo e bën mandatin e deputetes së Ramës të pavlefshëm, sipas Kushtetutës”, tha Duma nga selia blu.

/portali DurresLajm/