17 qershor 2015 – Qytetarët e Durrësit janë të papunë sepse punojnë vetëm 5 miqtë e kryebashkiakut që kanë marrë peng qytetin. Kështu ka deklaruar kandidatja e djathtë për Durrësin Grida Duma gjatë takimit elektoral të radhës me banorët e lagjes 5, duke akuzuar rivalin e saj për papunësinë e durrsakëve.
“Do ta çlirojmë qytetin nga banda e të pestëve të cilët e kanë marrë peng edhe në punësim, sepse kjo ka shkaktuar që vetëm 5 vetë punojnë. Kjo ka shkaktuar që ujësjellësi në vend që të vejë tubat shtron rrugë elektorale, kjo ka shkaktuar që disa njerëz të kenë të drejtë të bëjnë edhe sfinksin dhe ta quajnë vepër madhështore, sepse dikujt duhet t’i shiten pallatet. Kjo i ka shkaktuar të gjithë këto dhe njerëzit sot janë të papunë”, u shpreh Duma.
Gjithashtu demokratja Duma premtoi se do të ulë taksat që të hapë 15 mijë vende pune, dhe se do të ndërtojë zonën më të bukur të plazhit në të gjithë Shqipërinë.
“Çdo familje durrsake do të ketë një të punësuar është finishi i mandatit tim. Në këtë situatë që është qyteti në varfëri duhet të ulim në maksimum taksat dhe 30 % do t’i ul sa ma lejon ligji.
Do të ndërtojmë zonën më të bukur të plazhit që do të egzistojë në të gjithë republikën e Shqipërisë që do të jetë porta e veriut dhe investimeve deri në Kep të Rodonit. 100 ditë konkurs ndërkombëtar për të marrë kompanitë më të mira për të shkuar drejt një standardi që nuk është fshehje pas gishtit”, tha Duma.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/