10 qershor 2015 – Kandidatja për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma prezantoi programin e saj përpara banorëve të Sukthit në fshatrat Vadardhë dhe Kullë, e cila tha se për zgjidhjen e çështjes së pronësisë dhe azhornimit të tokave, gjithçka do të bëhet në mënyrë të hapur me komunitetin.
“Mora pjesë në një nga projektet më të mbrekullueshme të ndërkombëtarëve për 8 mijë pronat e jugut. Si e zgjidhëm situatën?! E zgjidhëm me transparencë. I morëm hartat, i hapëm në komunitet, i lajmëruam njerëzit nga 10-15 herë derisa më në fund me harta transparente dhe me komunitetin përpara, u arrit të zgjidhej në mënyrë përfundimtare përcaktimi i kufijve dhe i pronës. Kjo është ajo që do bëjmë. Në Bashkinë e Durrësit do kemi zyrën hipotekore dhe kadastrale që do zgjidhë në mënyrë transparente dhe të hapur me komunitetin problemin e pronës. Azhornimi i tokës do ndodhë bashkë me ju, hapur”, u shpreh Duma.
Ndër premtimet e tjera të demokrates gjatë këtij takimi ishin zerimi i faturave abuzive, pajisja e zonës me ujë 24 orë, dhe zhdukja e landfilleve, pasi sipas Dumës nuk ka zgjidhje tjetër.
“Çdo 150 metra do të kemi 3 koshat me ngjyra, të ndajmë në burim plehrat, të merren dy herë në ditë dhe të shkojnë te kompania e riciklimit dhe të zhdukim landfillet se nuk ka zgjidhje tjetër. Nuk ka më zgjidhje me djegie, dhe nuk mund të jemi një bregdet turistik, as këtu, as në Manzë, as në Durrës dhe as kudo”, deklaroi Duma.
Përsa i përket shkollave, demokratja u shpreh se do të ndërtohen 4 shkolla të reja për gjithë zonën e Sukthit.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





