2 dhjetor 2015 – Faljen e kamatëvonesave për familjet në nevojë, PD e konsideron si një veprim të bërë për shkak të frikës që kryeministri Edi Rama ka ndaj revoltës popullore. Në një deklaratë për shtyp, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma, reagoi ndaj vendimit të qeverisë, duke thënë se Rama është i tmerruar nga revolta popullore, nga bashkimi i madh i qytetarëve në protestën e 8 dhjetorit, dhe për këtë po riciklon çdo ditë shpifje ndaj kryetarit të Partisë Demokratike.

“Është kjo frikë që e detyron të kopjojë propozimet e opozitës. Falja e kamatëvonesave për familjet në nevojë, është kërkuar me forcë nga Partia Demokratike.
Por as falja e kamatëvonesave, dhe asnjë marifet i vogël, nuk do të bëhet  dot komardare shpëtimi për Edi Ramën, për kryeministrin më të korruptuar në Ballkan, me 200 milionë euro pasuri sipas dokumentit të punës së OSBE. Pasuri e vënë me ryshfete si ai që kërkoi për pallatin 16-katësh në zemër të Tiranës”, deklaroi Duma.

Më tej, Duma shtoi se më 8 dhjetor, qytetarët do të tregojnë forcën e sovranit para Edi Ramës, që nuk mbajti ndaj tyre asnjë premtim, që rriti çmimin e energjisë për të pamundurit, dhe me energjinë bëri miliarda për vete e 40 hajdutët e tij.
“Për 11 vite mori ryshfete për çdo leje ndërtimi në Tiranë, shkatërroi qytetin, e sot vjedh çdo ditë 1 milion dollarë në dogana e tatime, dhe qëndron pas çdo tenderi e koncesioni miliona eurosh.
Agonia e këtij kryeministri të korruptuar është drejt fundit, dhe një rrugë e re hapet për Shqipërinë pas 8 dhjetorit”, përfundoi fjalën e saj Grida Duma.

/portali DurresLajm/