RUSI – Ligjvënësit rusë u zotuan se do t’i përgjigjen me masë të ngjashme një projekt-ligj amerikan për vënien e sanksioneve ndaj zyrtarëve rusë të dyshuar për shkelje të të drejtave të njeriut.
Zyrtarët rusë thonë se Dhoma e ulët e parlamentit, Duma, do të konsiderojë vendosjen e një lloj të dënimi të ngjashëm kundër qytetarëve amerikanë që Moska dyshon për shkelje të të drejtave të njeriut.
Kryetari i komisionit të Dumas për çështje të jashtme, Alexei Pushkov, tha se ministria e jashtme ruse tashmë ka një listë konfidenciale të shtetasve amerikanë, të cilëve do t'u ndalohet hyrja në Rusi, nëse ligjvënësit amerikanë miratojnë sanksione. Ministria e Jashtme ruse e kishte denoncuar më parë projekt-ligjin amerikan – të njohur si "Akti Magnitsky" – duke e quajtur "veprim absolutisht armiqësor, provokativ dhe të njëanshëm."transmeton zeri i amerikes.
Javën e kaluar, Senati amerikan votoi për të hequr kufizimet e tregtisë në Rusi që datojnë në epokën e Luftës së Ftohtë, normalizimin e tregtisë me Moldavinë dhe të vendosë sanksione ndaj zyrtarëve rusë të akuzuar për shkeljen e të drejtave të njeriut. Presidenti amerikan Barak Obama ka premtuar ta nënshkruajë projekt-ligjin.
Projekt-ligji ka marrë emrin e Sergei Magnitskyt, një 37-vjeçar avokat rus, i cili u burgos pasi denoncoi atë që ai e quajti një rrjet kriminal zyrtarësh rusë që vodhi 250 milionë dollarë nga paratë e taksave. Magnitsky vdiq në burg në Rusi vitin 2009.