Kreu i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), Altin Dumani, ka folur gjatë ditë së sotme nga Kuvendi për luftën kundër korrupsionit. Dumani tha se SPAK ka shtuar hetimet me çështje korruptive, qofshin këto për organizata kriminale, figura të larta politike apo punonjës policie.
Dumani tha se SPAK ka marrë informacione për raste korruptive nga media, shoqëria civile dhe politika.
Altin Dumani: Këto sfida janë themelore për shtetin e së drejtës. Prokuroria e posaçme është në vijën e parë të kësaj lufte. Pavarësia institucionale dhe kapacitetet njerëzore dhe teknike kanë dhënë rezultate konkrete.
Sa i takon luftës kundër korrupsionit, SPAK ka ushtruar ndjekjen penale ndaj përfaqësuesve të ndryshme të pushtetit ekzekutiv, anëtarëve të kuvendit gjithashtu edhe me pushtetin gjyqësor, avokatë , gjyqtarë dhe funksionarë të policisë së shtetit, dhe për kryetarë apo ish kryetarë bashkish. Kemi bërë të mundur të godasim organizata kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Sa i takon çështjeve me natyre korruptive, SPAK ka ushtruar hetimet. Prokuroria e Posaçme ka marrë informacion për vepra të ndryshme penale nga media, apo nga shoqëria civile apo qoftë edhe nga politika me denoncimet e bëra.
Sot kemi një SPAK funksional, në përbërje janë 20 prokurorë, kemi investuar dhe me mjete dhe teknologji bashkëkohore. Një shtyllë e suksesit të SPAK ka qenë bashkëpunimi ndërkombëtar. Por para nesh ka shumë sfida. Në mënyrë të përsëritur, SPAK ka paraqitur disa shqetësime. Sfida e parë, ruajtja e pavarësisë institucionale të SPAK. Një tjetër shqetësim, mungesa e përcaktimit të qartë ligjor lidhur me statusin e prokurorit të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre. Të rishikohet dhënia e mundësisë së prokurorit të posaçëm që të rikandidojë për të vazhduar të jenë pjesë e SPAK.
Duhet të bëhen ndryshime në Kodin Penal lidhur me pragun monetar prej 500 Euro me qëllim rritjen e këtij pragu. Çdo akt korruptiv mbi këtë marzh bën kompotentë SPAK-un. Është koha që ky marzh të rritet dhe SPAK të fokusohet tek çështjet e ndjeshme dhe që janë më të vështira për t’u hetuar. Një sfidë është administrimi me sukses i rolit të ri të komisionerit publik. Kemi filluar fazën e eksperimentimit dhe shumë shpejt në muajt e parë të 2025-ës do të bëhet funksional sistemi i administrimit të çështjeve, që do të përmirësojë dhe paraqitjen tonë sa i takon dhe statistikave të ndryshme.
SPAK nuk mund të luftojë i vetëm korrupsionin dhe ka nevojë për bashkëpunimin e institucioneve të tjera që të jemi të suksesshëm. Një problematikë tjetër që ne shohim është edhe mungesa e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave të autoriteteve të huaja lidhur me njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve në Shqipëri në ngarkim të shtetasve shqiptarë. Beteja kundër korrupsionit, një përpjekje e përbashkët.