Kreu i SPAK, Altin Dumani, raportoi në Parlament, këtë të hënë, ku prezantoi raportin vjetor të punës së Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Në fjalën e tij në Kuvend, Dumani evidentoi se ka një rritje të procedimeve penale krahasuar me vitin 2021.
Po kështu, kreu i SPAK, theksoi se janë përdorur edhe metoda proaktive të hetimit, të tilla si përgjimet, që janë aplikuar në pjesën më të madhe në çështjet që lidhen më korrupsionin.
“Ka një rritje të regjistrimit të procedimeve penale kryesisht dhe më konkretisht janë regjistruar 28 procedime penale me 34 persona nën hetim, krahasuar kjo me vitin 2021 në të cilin janë regjistruar 18 procedime penale me 9 persona në hetim. Ka një rritje gjithashtu nga viti 2021 të përdorimit të hetimeve proaktive në 122 procedime penale ku janë interceptuar 2177 pajisje fundore. Pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar përgjimi e kryesojnë çështjet e hetuara për veprën penale të korrupsionit me 69 procedime penale ku janë interceptuar 10,023 pajisje fundore. Ndërkohë për çështjet penale të hetuara në kuadër të grupit të strukturuar kriminal janë përdorur metoda të posaçme hetimore në 53 procedime penale dhe janë interceptuar 1154 pajisje fundore. Kur bëhet fjalë për metoda speciale të hetimit vlen të theksohet se janë përdorur simulimi i aktit korruptiv, dorëzimi i kontrolluar apo dhe agjenti i infiltruar”, deklaroi ndër të tjera drejtuesi i SPAK.