TIRANË, 23 gusht 2013 – Lëkundje të lehta toke brenda njërit prej liqeneve të zonës kodrinore të Dumresë. Rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar një tërmet në orët e para të mëngjesit të 23 gushtit 2013. Sipas departamentit të sizmologjisë ngjarja tektonike ka ndodhur ora 2:53:16 (GMT) ose ora 4:53:16 (koha verore e Shqipërisë), me magnitudë M=3, me epiqendër në thellësinë 13 km, në një distancë 24 km në vijë ajrore në lindje të qytetit të Lushnjës në koordinatat 40.92°V, 19.87°L (shih hartën nr. 1, pika blu). Në të vërtetë, sipas google earth, tërmeti ka rënë brenda një liqeni që njihet edhe si liqeni i Mesëm (shih hartën r. 2 dhe foton satelitore, shigjeta e gjelbër) edhe si liqeni i Çestijes, me sipërfaqe 9.7 km² dhe që ka marrë emrin e fshatit Çestije, komuna e Kajanit (shih hartën nr. 3), ose më gjerë në zonën e Dumresë të rrethit të Elbasanit.

Info

Dumreja

Pllaja e Dumresë ndodhet në rrethet e Elbasanit, Fierit dhe Peqinit. Krahina përfshin qytetin e Belshit dhe mbi 40 fshatra të tjera në rajon. Dumreja është zona kodrinore shtrihet përpara fushës së Myzeqesë. Në bazë të formimit gjeologjik, Dumreja ka formën e një rrafshnalte tektonike-vullkanike. Përgjatë gjithë shtrirjes territoriale, lartësia nuk ndryshon më shumë se 50 metra, edhe duke parë lartësinë e përgjithshme të ulët me nivelin e detit përcaktohet si zonë kodrinore. Dumreja përfshin territorin e katër komunave dhe të një minibashkie, të gjitha pjesë të rrethit Elbasan, dhe që janë: Belsh, Shalës, Grekan, Kajan, Rrasë e Fierzë. Zona e Dumresë, e cila shtrihet në një sipërfaqe prej 215 km² kufizohet në jug me rrethin e Kuçovës, në lindje me fushën e Elbasanit, në veri me rrethin e Peqinit dhe në perëndim me rrethin e Lushnjës.

Kajani

Komuna Kajan në qarkun e Elbasanit ka në përbërje fshatrat: Kajan, Dragot, Lisaj, Dradot-Dumre, Gjinuk, Gjolenë, Turbull, Çestije, Merhoje, Drizaj.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/