Brazil, 30 korrik 2014 – Karlos Dunga ka vendosur të bëjë revolucion, pasi zëvendësoi Skolarin në krye të stolit të Brazilit. Në fakt, nuk bëhet fjalë vetëm për ndryshime në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. “Mjaft më me të qara. Burrat nuk qajnë. Imazhet e lojtarëve me lot pas ndeshjes kundër Kilit stonojnë në botën e futbollit”, u shpreh tekniku, i cili kërkon që futbollistët e tij të japin më siguri, autoritet dhe vetëpërmbajtje në fushën e gjelbër.
Psikologu
Trajneri Skolari vendosi që të punojë tre psikologë, të cilët këshillonin dhe u qëndronin pranë futbollistëve gjatë Botërorit. Por duket se Dunga nuk ka ndër mend që ta praktikojë një gjë të tillë gjatë aventurës së tij. “Nuk e di nëse është një zgjidhje. Nuk kam asgjë kundër, por e shoh të vështirë që unë të lejoj sërish një gjë të tillë. Nuk besoj se një futbollist arrin të hapet te psikologu për vetëm pesë minuta. Mbi të gjitha, mendimi i parë që u vjen është ‘po sikur t’i tregojë trajnerit?!’. Nëse një psikolog duhet të bëjë punë të mirë, atëherë edhe bashkëpunimi me futbollistin duhet të jetë i madh, gjë që vështirë ta besoj se ndodh”, deklaroi Dunga.
Flokët e lyera
Nejmar dhe Dani Alvesh u bënë protagonistë me imazhin e tyre gjatë Botërorit, kur i lyen flokët ngjyrë bionde. Por tekniku i ri ka vendosur të vendosë në rregullore edhe këtë pjesë. “Nuk më pëlqeu që pashë Nejmarin dhe Dani Alveshin që kishin lyer flokët. Ata nuk duhet të mendojnë për pjesën estetike, por vetëm për Kupën e Botës. Nuk duhet t’i lyejnë as para dhe as pas kompeticionit. Aq më keq që ata e bënë gjatë tij”, tha kreu i “seleçao”-s. “Nuk do lejoj gjithashtu që Nejmar të dalë në konferencë para medias dhe të mbajë në kokë një kapele që nuk përfaqëson Kombëtaren e Brazilit. Nuk është aspak e hijshme dhe përfaqësuese, ndërkohë që je aty për të mbajtur veshur ngjyrat e vendit tënd”.
Varësia ndaj Nejmarit
Një prej elementëve që ka vendosur të ndryshojë dhe që gjithashtu nuk i ka pëlqyer gjatë turneut të një muaji më parë, ka qenë dramaciteti që i dhanë dëmtimit të Nejmarit: “Mesazhi i dhënë ishte që humbën një luftëtar. Por, në luftë nuk mendohet për viktimat, ajo vazhdohet me shpresën për të fituar. Duhet t’i kishin dhënë zemër dhe besim luftëtarit që e zëvendësoi në betejë dhe jo të qanin atë që humbi”. Ndërkohë, nuk e ka kritikuar Tiago Silvën, edhe pse si kapiten refuzoi të marrë përsipër një prej 11- metërshave. “Situata është komplekse. Ka menduar ‘nëse gaboj, nuk mund të shkel më në Brazil’. Por ai pati guximin që të thotë se nuk ishte i përgatitur për atë përgjegjësi dhe hoqi dorë. Është më e ndershme të jesh i sinqertë në atë që bën dhe jo të shtiresh apo të nxjerrësh justifikime të kota”, tha Dunga. Në fund të deklaratës, ai foli edhe kundër atyre që e kanë kritikuar dhe që nuk besojnë te puna që do bëjë me Kombëtaren e Brazilit: “Nuk e shikoj rrugëve rezultatin e sondazheve të bëra. Nga dhjetë intervista, të dhjeta janë kundër meje. Më thonë se ishte radha e Tites për të drejtuar ekipin përfaqësues. Sa herë që më besohet diçka, thonë se ishte radha e dikujt tjetër. Gjithsesi, në krye të Brazilit jam unë dhe do ta bëj unë punën. Kam besim se do jemi të suksesshëm”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





