Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj akuzoi se Durana Tech Park është një skenë mashtrimi nga ana e qeverisë për të favorizuar biznesmenët e afërt me qeverinë. Ai nxori një foto në Kuvend, duke thënë se nga një projekt me vizion i shumë reklamuar, tani është një “fushë me lopë”.

Në interpelancën me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, Shehaj theksoi se pasi dështuan ta bënin këtë projekt fizikisht, kaluan virtualisht.

Sipas Shehajt, një muaj përpara Ermal Beqiri, emri i të cilit doli në dosjen e AKSHI-t, krijoi një shoqëri me disa biznese, që sipas tij, u regjistruan në Durana Park. Nga 46 biznese të regjistruara, tha Shehaj, 2/3 ishin të Beqirit.

Shehaj akuzoi se kjo ishte një skemë mashtrimi për të favorizuar mundësinë Ermal Beqirin, Ergys Agasin dhe Mirlinda Karçanajn, “që përveçse të merrnin lekët nga arkat e shtetit, të kishin mundësinë të mos paguanin asnjë taksë.”

“Ju u premtuat qytetarëve e se për këtë qëllim duhet t’u premtojmë investitorëve të huaj e vendas se ata nuk do të paguajnë taksa, zero taksa se kjo është mënyra  e vetme që ta të shkojnë të investojnë në Durana Park. Iu thatë shqiptarëve se ju do të paguani taksa, ata nuk do të paguajnë. Ky ishte projekti që ju reklamuat.

Ky është realiteti (nxjerr foton), fushë me lopë. Ju nuk u dorëzuat, thatë nuk e bëmë dot këtë fizikisht por mund ta bëjë virtualisht, dhe më edhe kolegen tuaj drejtoreshën e Korporatës së Invëstimeve ratë dakord ta bënit virtualisht.

Rastësisht një muaj para se të hapeshin aplikimet për bizneset që të regjistroheshin virtualisht, Ermal Beqiri krijoi një shoqatë me biznese në fushën e teknologjisë. Beqiri, i plotfuqishmi i tenderave të AKSHI. Dhe si për rastësisht pjesa më e madhe e bizneseve të regjistruara në këtë, u regjistruan në Durana park. U regjistruan 46 biznese virtualisht, dhe nga të cilat, 2/3 janë të Beqirit. E gjithë kjo skemë ishte një skemë mashtrimi, që t’u jepte mundësinë Ermal Beqirit, Ergys Agasit dhe Mirlinda Karçanajt që përveçse të merrte lekët nga arkat e shtetit, të kishte mundësinë të mos paguante asnjë taksë.”, tha Shehaj.