2 qershor 2015 – Rreth 1000 punime në pikturë dhe skulpturë, vepra të autorëve vendas, janë magazinuar në pritje të restaurimit.
Mbi 870 tablo i përkasin krijimtarisë së autorëve të ndryshëm nga Durrësi pas viteve 1950 dhe kanë gjetur përkohësisht “strehim” në një nga mjediset e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”. Ndërkaq në një nga sallat e Muzeut të luftës janë magazinuar 175 skulptura të përmasave të ndryshme, të cilat sipas specialistëve janë mjaft të dëmtuara.
Përveç tablove të autorëve shqiptarë në pritje të restaurimit, në mjediset e pallatit të kulturës ndodhen edhe 125 vepra të autorëve italianë që kanë mbërritur në Durrës në vitin 2005. Tablotë i janë dhuruar Bashkisë së Durrësit nga miqtë dhe kolegët e piktorit të shquar Ibrahim Kodra. Për ekspozimin e tyre nuk është gjetur ende një mjedis i përshtatshëm.
Agjencia e lajmeve "Dyrrah"