1 qershori është një festë që sjell shumë alegri dhe ngjyra, pasi protagonistët e saj janë ata, fëmijët.
Po ndërsa shumë prej tyre sot këndonin, kërcenin e dëfreheshin në sheshin “Liria” nën tingujt e koncertit që po mbahej për ta, jo të gjithë fëmijët ishin të lumtur.
Fotot e kapura sot në qendër të qytetit nga operatori i “DurrësLajm”, Shefqet Duka, tregojnë anën e trishtë të kësaj dite.
Një fëmijë i komunitetit rom që sheh me trishtim bashkëmoshatarin e tij brenda rrethimit, ku ishte vendosur dekori i festës, dëshmon realitetin ndryshe të shumë fëmijëve të periferive apo komuniteteve të margjinalizuara.
Të tjerë bashkëmoshatarë të tij, anëtarë të po të njëjtit komunitet, shihen të shtrirë në bar, në një nga hapësirat e gjelbra pranë qendrës.
Megjithëse vetëm pak metra larg vendit ku shumë fëmijë të kopshteve dhe shkollave fillore festonin ditën e tyre, këta vogëlushë të komunitetit rom ndihen të përjashtuar. Argëtimi i sotëm për ta është ky pushim poshtë hijes së pemëve, nën vapën përvëluese të këtij fillim qershori.
Pak pushim, për t’ju rikthyer më pas “aktivitetit” të përditshëm, lypjes…
M.B.