· Përjashtohen edhe 3 mësues për menaxhim jo të rregullt
DURRËS, 14 qershor 2014 – E pabesueshme, por fakt: në provimin e maturës shtetërore kanë shkuar “të maskuar” 10 të rinj nga qyteti bregdetar.
Sikurse njofton Ministria e Arsimit dhe Sportit, në provimin e detyruar, lënda “Matematikë”, MSH 2014, sesioni i parë, zhvilluar në dt. 9 qershor 2014, ku ishin regjistruar 45,032 maturantë në të gjithë vendi, nga 16 gjithsej në shkallë republike që u kapën me identitet të rremë, 10 të rinj (62,5 për qind e numrit gjithsej) i takonin Drejtorisë Arsimore Rajonale të Durrësit.
Po ashtu një nxënës durrsak, nga 8 gjithsej në shkallë vendi, u kap me kopje në letër, kurse një tjetër u përjashtua për moszbatim të Rregullores së MSH-së.
Po ashtu Durrësi la nam dhe për mësuesit: në shkallë vendi u vërejtën 13 administratorë që u përjashtuan nga procesi për menaxhim jo të rregullt, nga të cilët 3 administratorë i takonin DAR-it të Durrësit; për këta administratorë janë marrë masa, sipas rregullores të MSH-së 2014 dhe Kodit të Punës, tha MS-ja.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





