DURRËS, 6 shtator 2014 – Me rastin e 10-vjetorit të krijimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim dega e kësaj partie në Durrës ka zhvilluar aktivitete të ndryshme me karakter social.

Por Durrësit i ka kushtuar rëndësi edhe udhëheqja qendrore, duke sajdisur me tre njerëzit kryesorë si zz. Ilir Meta, Lefter Koka dhe Nasip Naço.

Fillimisht Ministri i Mjedisit z. Lefter Koka ka marrë pjesë në përurimin e gjelbërimit të segmentit hyrës të qytetit të Durrësit pranë Urës së Dajlanit.

Mbjellja e pemëve dekorative dhe rrapeve është kontribut i të rinjve anëtarë të LRI-së.

Ministri Koka, shoqërohej nga një tjetër ministër i LSI, ai i Drejtësisë, z. Nasip Naço.

Kreu i Mjedisit ka falënderuar të rinjtë që kontribuuan në mbjelljen e pemëve, duke theksuar se gjelbërimi dhe përmirësimi i mjedisit të qytetit është prioritet i punës së LSI-së.

NË SPITALLË-PORTO ROMANO

Pastaj kryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe njëkohësisht kryetar i LSI-së z. Ilir Meta ka marrë pjesë në shpërndarjen e 100 kompleteve me libra dhuratë për familjet e varfra në vendlindjen e zëvendësit të tij, z. Lefter Koka, në zonën e Spitallës dhe Porto Romanos në Durrës.

Me këtë rast dega e Durrësit mundësoi blerjen e librave për këtë vit shkollor për 100 nxënës të kësaj zone.

Drejtori i shkollës 9-vjeçare “Met Hasa” në Porto Romano z. Hajri Nuhu vlerësoi kontributin për dhurimin e librave duke shtuar se një tjetër ndihmesë për rrjetin elektrik dhe hidraulik të shkollës do të realizohet shumë shpejt.

Kryetari i Kuvendit u shpreh se zona në fjalë ka shumë nevojë për përmirësimin e kushteve të jetesës si dhe të infrastrukturës.

Pas përshëndetjeve së z. Lefter Koka dhe banorëve të zonës, në oborrin e shkollës janë mbjellë disa pemë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/