Durrës, 25 qershor 2014 – Një pjesë e madhe e maturantëve durrsakë nuk janë paraqitur aspak mirë në provimin e dytë të Maturës Shtetërore, atë në lëndën e Matematikës, duke regjistruar rezultate zhgënjyese. Sipas drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Rezana Vrapi, janë rreth 1000 maturantë durrsakë që rezultojnë mbetës në këtë provim.
Mësohet se, përsa i përket nxënësve mbetës, Durrësi renditet i treti në listë, pas Tiranës qark dhe Tiranës qytet. Në rang vendi figurojnë rreth 10 mijë nxënës mbetës në Matematikë, gjë që bën që Durrësi të regjistrojë 1/10 në rang vendi të mbetësve.
Vrapi bën të ditur gjithashtu se maturantët e Shqipërisë vlerësohen mesatarisht në provimin e matematikës me notë 5 dhe 6. Ndërsa për provimin e Gjuhës dhe Letërsisë për vitin 2014 maturantët vlerësohen me notën 7.
Sipas saj në provimin e matematikës ka nota në ekstreme, ose shumë të mira ose nota të ulta.
“Në matematikë ka një hendek mes ekstremeve, ka 4-5 si nota kaluese, dhe ka nota 9-10, pra mungon pjesa qendrore 7-8”,– shprehet Rezana Vrapi.
Por megjithatë qyteti i Tiranës ka maturantët më të mirë me nota maksimale duke marrë edhe pikët e plota. “Spikat Tirana me numrin më të madh të maturantëve, mbi 700 nxënës që kanë marrë notën 10, sikurse 50 pikëshin”- thekson Vrapi.
Ndërsa përsa i përket ankimeve, drejtoresha Rezana Vrapi deklaron se nuk ka pasur gabime, por megjithatë maturantët e pakët që kanë kundërshtuar vlerësimin kanë parë tezat për transparencë. Brenda fundit të muajit pritet të dalin rezultatet e provimit të fundit të maturës shtetërore.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





