7 korrik 2015 – Rreth 120 krijues letrarë nga Durrësi janë përfshirë në shoqatat lokale kulturore dhe prodhimtaria e tyre artistike ka ardhur në rritje. Gjatë 20 viteve të fundit ata kanë botuar rreth 350 tituj të rinj në gjini të ndryshme, të cilët gjenden në bibliotekën e qytetit.
Në shoqatën letrare “Pena femërore” bëjnë pjesë rreth 30 autore, të cilat pavarësisht nga profesionet e ndryshme i bashkon pasioni për letërsinë. Një pjesë mësuese, por edhe studiuese apo arkitekte, vajzat dhe gratë shkrimtare e poete nga Durrësi kanë nënshkruar deri tani dhjetra libra, që kanë marrë edhe gjykimin e lexuesve apo kritikëve.
Sidoqoftë, pjesa më e madhe e shkrimtarëve durrsakë janë burra, mjaft prej të cilëve të sprovuar prej kohësh në fushën e artit dhe kulturës letrare. Së bashku me disa kolege gra dhe vajza, ata janë organizuar në Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve, duke organizuar rregullisht edhe diskutimet krijuese të librave të rinj.
Gjergj Vlashi, Bashkim Hoxha apo Hasan Ulqini janë disa nga autorët më të njohur durrsakë, në fushat specifike të letërsisë.
Një zë të veçantë në prodhimtarinë letrare të Durrësit zënë edhe punimet me karakter studimor në fushat e historisë dhe arkeologjisë të përfaqësuar nga Afrim Hoti, Fatos Tartari, Hava dhe Sali Hidri, etj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/