127 vepra të artit bashkëkohor kontemporan të dhuruara nga artistë italianë me qëllim ndërtimin e një muzeu të mirëfilltë, qëndrojnë pas kësaj dere të katit  të parë në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu”. Disa prej këtyre veprave i përkasin Ibrahim Kodrës, të tjera artistëve italianë, miq të artistit Kodra. E ndërsa në debat për varrin e piktorit, janë përfshirë prej ditësh qeveritarë, banorë të Ishmit, specialistë, politikanë e shumë sherrxhinj të tjerë, secili për interesa të tij, veprat e artit kontemporan rrinë të “varrosura” në një ambient të pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”.  

“Janë 127 vepra që i përkasin artit bashkëkohor italian të Ibrahim Kodrës dhe artistëve të tjerë me qëllim ndërtimin e një muzeu të artit kontemporan në Durrës. Më vjen shumë keq që këto vepra qëndrojnë të mbyllura në një dhomë katër me katër”. Deklarata vjen nga ish-kreu i fondacionit “Ibrahim Kodra”, Jashar Arrëza, i cili thotë se janë plot 127 vepra që i përkasin Ibrahim Kodrës dhe shumë artistëve italianë të cilët ia dhuruan bashkisë së Durrësit, pas vdekjes së artistit rreth 10 vjet më parë.

Deklarata:

“Kemi bërë shumë përpjekje që fondi i pikturave të artit kontemporan të vinin në Shqipëri. Fondi i këtyre pikturave, që në dijeninë time ishin 127, u mblodh me iniciativën e Ibrahim Kodrës para se të ndërronte jetë. Tani kanë përfunduar në një dhomë 4 me 4, siç më kanë thënë, në kushte lagështire. Durrësi kishte fatin e mirë që të hapte një muze të artit kontemporan, i cili gjendet vetëm në Itali, sepse pikërisht për këtë qëllim u mblodh fondi i veprave. Dhe nëse nuk gaboj, ishin 127 vepra që i ekspozova për rreth 15 vjet. Këto vepra duhet të theksoj që nuk janë të falura, por të dhuruara për të krijuar një muze të artit bashkëkohor. Se kush merret e kush do ta zgjidhë problemin kjo është një çështje administrative”.

Nën administrim, veprat janë marrë nga drejtoria e Galerisë së Arteve në Durrës. Drejtoresha Alketa Traga,në një lidhje telefonike për “DurrësLajm” pohoi se veprat e artistëve italianë dhe Ibrahim Kodrës, janë të ruajtura mirë brenda kushteve optimale në një ambient magazinimi. “Në ditët në vijim do të keni mundësinë që t’i shikoni veprat ku magazinohen dhe në çfarë kushte ruhen, por ato janë optimale. Shpeshherë edhe i kemi ekspozuar në galerinë e arteve pamore, shpresojmë që kur të ngrohet moti nga muaji mars, do të kenë mundësinë qytetarët të shikojnë veprat e ekspozuara. Shpesh, kur vijnë në Shqipëri, artistët italianë vijnë dhe i shikojnë veprat e tyre, kujdesohen për to”, pohoi Traga.

K.H.