Pas një pritjeje gati 5-vjeçare, më në fund po bëhen me shtëpi të re. Gjatë shorteut publik të mbajtur sot paradite në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, 135 familje të Durrësit përfituan apartamente në dy pallatet 9 katëshe, nr. 1&3 Rruga “Lura”, dhe nr. 15&23 rruga “Ahmet Dakli”, të ndërtuara në kuadër të procesit të rindërtimit.

Tërmeti i datës 26 nëntor 2019 i la pa shtëpi, por tashmë mund t’u gëzohen banesave të reja. Në bazë të rregullores së shorteut, goglat e para u tërhoqën nga invalidët.

Pavarësisht se iu dha mundësia të përfitonin apartamente në katin e parë dhe të dytë të godinave të reja, të ndërtuara në Njësinë Administrative nr.5, shorteu nuk i la plotësisht të kënaqur.

“Nuk jam fare e kënaqur. Kam pasur apartament 2+1 dhe banoja me djalin, sepse jam e sëmurë, në karrike me rrota. Kam hequr 3 kancera, kam bërë 10 operacione dhe dua të kem djalin bashkë me nusen në shtëpi, që të më bëjnë shërbim. Mua më kanë dhënë 1+1, ndërkohë që kisha 2+1 para tërmetit”,– thotë për “DurrësLajm” Natasha Ahmeti, e cila shprehet se bashkëshorti 75-vjeçar e ka të pamundur t’i përgjigjet të gjitha nevojave shëndetësore të saj.

“Faleminderit shumë, sepse u bëmë me shtëpi të re. por unë kam burrin invalid dhe desha një dhomë më shumë, por nuk na e dhanë”,- thotë bashkëshortja e një kryefamiljari invalid pas tërheqjes së shorteut.

Për këto 135 familje, por dhe shumë të tjera që tërmeti i para 5 viteve i la pa shtëpi jetesa nuk ka qenë shumë e lehtë këtë periudhë.  

“Shumë e vështirë ka qenë jetesa, sidomos në një vit e gjysëm pa bonus qiraje. 45 vite punë që kam bërë ikën, u zhdukën. Do të filloj prapë nga A-ja”,– thotë një pensionist, që sapo përfitoi një apartament 1+1.

5 vite pas tërmetit, procesi i rindërtimit në Durrës nuk mund të quhet i përfunduar.

Me qindra familje vazhdojnë të jetojnë në shtëpi me qira, të cilën detyrohen ta paguajnë vetë.

Ndërkohë, nuk ka asnjë sinjal për fillimin e ndarjes së rreth 1000 apartamenteve të reja në sitin e Spitallës, pavarësisht se 90% e punimeve kanë përfunduar tashmë.

Një numër i konsiderueshëm i pallateve me shkallë dëmi DS4 janë në pritje të zhvillimit të tenderave përkatës për nisjen e procesit të riforcimit, në këto godina.    

M.B.