DURRES, 06 mars 2013 – Furrat e bukës që ushtrojnë aktivitetin e tyre në qytetin e Durrësit kanë kaluar në “sitën” e Autoritetit të Kontrollit Ushqimor. Gjatë këtyre ditëve inspektorë të këtij institucioni kanë ushtruar kontrolle në 70 furra buke nga 102 që ushtrojnë aktivitetin në qytetin e Durrësit. Nga kontrollet e ushtruara ka rezultuar se një numër i konsiderueshëm furrash buke nuk ofrojnë standartet e kërkuara të higjenës.
Sipas drejtorit të AKU-së në Durrës, Gëzim Ylli, 15 furra buke kanë mangësi përsa i përket kushteve higjeno-sanitare. Sipas Yllit problemet më të theksuara janë vënë re në furrat që përdorin druri zjarri për procesin e pjekjes.
“Janë kryesisht furrat që përdorin dru zjarri që nuk përmbushin kushtet higjeno-sanitare. U kemi lënë afat vetëm pak ditë. Brenda kësaj jave ata duhet të marrin masa, në të kundërt do të penalizohen me gjoba apo me mbylljen e aktivitetit”,- tha kreu i AKU-së në Durrës.
Në një kohë kur siguria ushqimore është një nga temat më të diskutuara ditët e fundit, sidomos pas bllokimit të disa markave të qumështit shqiptar për shkak të pranisë së lartë së aflatoksinës, AKU ka shtuar kontrollet në subjektet prodhuese. Në furrat e bukës, krahas kontrollit për garantimin ose jo të kushteve higjeno-sanitare të kërkuara, është kontrolluar edhe lënda e parë, mielli dhe përbërësit e tjerë të bukës, sidomos në drejtim të ngjyruesve të bukës së zezë.
Drejtuesit e AKU-së në Durrës shprehen se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj furrave të bukës përsa i përket ambalazhit me të cilën tregtohet ky produkt. Gjithsesi pavarësisht kontrolleve të AKU-së, në shumë furra buke në Durrës përdoren qeset plastike, ndërkohë që muaj më parë u dha urdhër i prerë, që ato të tregtohen në qese letre. Sipas drejtuesve të AKU-së në rast konstatimi të ambalazhimit të bukës me qese plastmasi masa nëshkimore ndaj subjektit tregtar është 500 mijë lekë të reja.
Kontrolle janë ushtruar edhe në disa ferma në qarkun e Durrësit, për të verifikuar nivelin e aflatoksinës në produktet e qumështit. Sipas AKU-së situata konsiderohet brenda parametrave të kërkuar. Mësohet se për disa ditë ju bllokua aktiviteti i tregëtimit të qumështit kompanisë “Primalat” të Sami Gjergjit, me qendër në Manëz deri në përfundimin e analizave.
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





