· “Skartohen” 13 ofertues (22 firma) dhe del fitues një treshe “rurale” ndërtimi nga Xhafzotaj, Bulgareci dhe Vora
DURRËS, 21 tetor 2014 – Kriza e rëndë që ka përfshirë sektorin e ndërtimit nga mungesa e lejeve, i ka bërë bizneset të vrapojnë drejt prokurimeve publike me peshë të madhe, saqë në një tender të Durrësit të vrapojnë 15 “maratonistë”, pasi bëhej fjalë për një vlerë mbi 1,2 milionë euro; kështu “Make-up”-in e dy veprave evropiane, më të rëndësishmet në infrastrukturën rrugore të Shqipërisë, sikurse janë rrethrrotullimet e Urës së Dajlanit dhe Plepave, do ta bëjë bashkimi i tri shoqërive të ndërtimit: A.L-Asfalt me seli në fshatin Xhafzotaj të Durrësit, Alb Korça 2002 me seli në fshatin Bulgarec të Korçës dhe Eral me seli në magazinat e stacionit të trenit të Vorës.
Në tenderin e rikualifikimit të nënkalimit dhe rotondës tek Ura e Dajlanit dhe në Plepa, me vlerë 170 212 400 lekë (1 milion e 234 mijë euro) të buxhetit të shtetit dhe organizuar nga bashkia e Durrësit më 10 shtator 2014, morën pjesë 15 “garues”, ku 4 ishin bashkime prej 3 firmash, 3 prej 2 firmash dhe 8 “tek pullë”, gjithsej 26 firma ndërtimi.
Më 20 tetor 2014, bashkia e Durrësit njoftoi “Dyrrah”-un dhe të interesuarit se u shkualifikuan 13 ofertues (3 bashkime me nga 3 firma, 3 bashkime me nga 2 firma dhe 7 firma “single”, gjithsej 22 firma).
“Qeveria” bregdetare i tha “durreslajm.com” se nuk pati ankesa dhe apelime nga të “skartuarit”, pasi 3 operatorë ekonomikë nuk kishin paraqitur fare ofertë, kurse 10 “konsorciumet” e single (19 gjithsej) patën mangësi në dokumente.
Kështu një konkurrues i renditur i pari me ofertën më të ulët, kishte një gabim aritmetik që e kalonte vlerën 2 për qind!
Ndërsa një “treshe”, e renditur e treta për ofertën, kishte probleme mes “ortakëve”: njëri, në bazë të përqindjes në kontratën e bashkëpunimit nuk plotësonte xhiron vjetore për vitin 2012 apo po kjo firmë nuk përmbushte kriterin për punë të ngjashme (ndërtim kapanoni industrial); për ndriçuesit ka paraqitur kontratë furnizimi me ISO prodhuesi, po katalogu i paraqitur nuk kishte ndriçuesit e kërkuar; ndërsa për pemët ka paraqitur kontratë furnizimi me ISO prodhuesi, por katalogu nuk ishte i prodhuesit; ofertuesi tjetër në bashkim nuk nuk përmbushte edhe ky kriterin për punë të ngjashme (sistemim asfaltim “Fresku” e paraqitur nuk arrinte vlerën e kërkuar si dhe ndërtimi i spitalit nuk konsiderohet pune e ngjashme.
Probleme sidomos për ndriçuesit, ISO për prodhimin e gurëve (madje një ISO e paraqitur ishte për prodhim inertesh!), pemëve kishin edhe të shkualifikuarit e tjerë.
Operatori fitues i përbërë nga A.L-Asfalt, Alb Korça 2002 dhe Eral, i renditur i dyti, paraqiti ofertën me vlerë 119 206 709 lekë nga 170 212 400 lekë fondi limit, me një diferencë 51 005 691 lekë (rreth 39 mijë euro).
Është parashikuar që ky investim i rëndësishëm të përfundojë për 180 ditë.
Info
Qeveria vendore e qytetit nr. 2 të vendit thotë se do të ketë parqe me zona ndenjeje e me lojëra për fëmijë, në funksion të një popullsie të lartë në hyrje të Durrësit e në Shkozet. Do të përdoret teknologji me konsum të ulët energjie (ulje rreth 60 për qind të konsumit të energjisë nga llambat e përdorura gjerësisht sot në zona të tjera të qytetit); do të ketë gjelbërim; mikroklima në nënkalime me kombinimin e zonave të hijezuara me ato të diellzuara etj.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





