·        Avantazhi më i madh për një të ri që ka mbaruar studimet për infermieri, është përvoja e punës që do të fitojë

·        Do të vlerësohen me një sistem pikësh për kontributin që do të japin dhe do të jenë kontingjenti i parë i përzgjedhjes kur të hapen vende vakante

DURRËS, 15 korrik 2014   Sot janë 15 vullnetarë, nesër mund të punësohen në institucionin publik të mjekimit, spitali rajonal i Durrësit njofton se ka vendosur t’u ofrojë mundësi atyre të rinjve që duan të punojnë si infermierë vullnetarë.

Sipas këtij spitali, vullnetarizmi është një pikënisje e mirë për zhvillimin profesional.

Në mjekësi ndoshta kjo vlen më shumë se kudo tjetër pasi përvoja është një element shumë i rëndësishëm në trajtimin, kurimin dhe shpëtimin e jetëve njerëzore.

Ndaj spitali rajonal i Durrësit ka vendosur t’u ofrojë këtë mundësi të gjithë atyre të rinjve që duan të punojnë si infermierë vullnetarë.

15 vullnetarët e parë i janë bashkuar tashmë stafit mjekësor të Spitalit Rajonal Durrës.

Pasi kanë mbaruar praktikën mjekësore, ata janë shpërndarë sipas nevojave të shërbimeve të spitalit.

Pjesa më e madhe e vullnetarëve po shërbejnë në urgjencë-pranim, hallka e parë e përballjes me emergjencat mjekësore.

CILAT JANË AVANTAZHET E PUNËS VULLNETARE

Avantazhi më i madh për një të ri që ka mbaruar studimet për infermieri, është përvoja e punës që do të fitojë.

Shërbimi pranë stafit të profesionistëve të spitalit, do t’i përkthejë atij në praktikë dijet e marra në fakultet.

Vullnetarët do të pajisen me një kontratë të veçantë me kërkesat, rregulloren e spitalit dhe mund të marrin referenca të mira për punën e kryer.

PUNËSIMI

Infermierët vullnetarë do të vlerësohen me një sistem pikësh për kontributin që do të japin gjatë qëndrimit në SRD. Ata do të jenë kontingjenti i parë i përzgjedhjes, në rastin e hapjes së vendeve vakante në spital.

Përzgjedhja do të bazohet në disa kritere, mes të cilave edhe sistemi i pikëve të vlerësimit të punës së bërë si vullnetar.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/