"Misteret e princit të zi" është romani më i ri i promovuar në qytetin e Durrësit, por jo në një nga mjediset ku ndodh rëndom një aktivitet i tillë. Romani në fjalë ka për autore një vajzë 15- vjeçare, nxënëse e klasës së 9 në shkollën “Met Hasa” në Porto Romano të Durrësit, Griselda Vreka.  Pikërisht në këtë shkollë është zhvilluar promovimi i romanit me rreth  376 faqe. Në promovimin e romanit që është i zhanrit fantastiko-shkencor , kanë marrë pjesë nxënës, mësues, shkrimtarë të qytetit të Durrësit si dhe botuesi.

Nxënësit e shkollës kanë rrëfyer shkurtimisht subjektin dhe pjesët që ata kanë pëlqyer më shumë, ndërsa botuesi Zylyftar Plaku u ndal në gjuhën që përdor autorja, një  sintaksë e habitshme dhe një ndërtim narrativ i ngjarjeve që kapërcen kujfitë moshorë të autores.

Shkrimtarja Myzejen Konduri është shprehur për Griseldën se sot nuk ka vend për korrigjime për të, pasi me këtë libër është ngjitur në majë.

Mësuesja e letërsisë Luljeta Ago, është shprehur se vajza ka një talent të lindur dhe ajo ndihet mjaft e gëzuar për arritjen e nxënëses së saj. 

Vetë autorja është shprehur se është frymëzuar nga romanet që ka lexuar, kryesisht ata fantastikë. 

Aktiviteti në fjalë është mbështetur edhe nga “World Vision” me qendër në qytetin e Durrësit.