Durrës, 28 prill 2014 – Borxhi i marrë dajës me qëllim për të mjekuar prindërit, por që në të vërtetë ishte përdorur për të plotësuar dëshirat e saj, për pak nuk i ka kushtuar jetën një 15 vjeçareje nga Durrësi. Vajza është paraqitur në Urgjencën e spitalit të Durrësit nga familjarët e saj në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi kishte tentuar t’i jepte fund jetës së saj, pasi mashtrimi i bërë prej saj ishte zbuluar.
Burime policore pohuan për agjencinë e lajmeve "Dyrrah" se 15 vjeçarja i kishte prindërit e sëmurë. Për shkak se ata kishin nevojë për mjekim të specializuar ajo i është drejtuar disa herë dajës për t’i marrë shuma të konsiderueshme parash me preteksin se do t’i përdorte për kurimin e prindërve të saj. Por mësohet se 15 vjeçarja i ka shpenzuar këto para për veten e saj pa vënë në dijeni prindërit.
Të vënë në dijeni nga daja i vajzës, prindërit kanë mësuar se 15 vjeçarja Ermira D. ka marrë borxh nga daja i saj jo pak, por 2 milion e gjysëm lekë. Kur ka kuptuar se mashtrimi i saj ishte zbuluar 15 vjeçarja ka tentuar t’i japë fund jetës duke pirë detergjent larës.
Vajza është shoqëruar me urgjencë në spitalin e Durrësit dhe më pas është dërguar për mjekim më të specializuar në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





