Nga Thanas Mustaqi
DURRËS, 25 korrik 2014 – Një mëkat ekonomik i 15 vjetëve të shkuar i ish-kryeministrit z. Pandeli Majko, i solli kokëçarje diplomatike pasuesit të tij z. Fatos Nano, por vazhdon t’i kushtojë buxhetit të shtetit në qeveritë e zz. Sali Berisha dhe Edi Rama; është fjala për dhënien e depozitave të naftës në portin e Durrësit me qira 20-vjeçare dy kompanive greke.
KRYEMINISTRI “MOTAK”
Ndonëse Banka Botërore dhe qeveria amerikane qysh në vitin 1998 dhe pastaj në vitet 200-2002 sugjeronin shndërrimin e portit të Durrësit në një “Kokë të Korridorit VIII Panveopian dhe Paktit të Stabilitetit për Ballkanin”, “urë tokësore për kontejnerët nga SHBA në Azi”, duke përdorur jo vetëm kalatën lindore, por edhe sheshin e depozitave të ndërmarrjes shtetërore të karburanteve, duke i lëvizur ato, Tirana zyrtare bëri një gafë foshnjarake.
Qeveria e kryesuar nga z. Pandeli Majko [2 tetor 1998-25 tetor 1999] nxori një vendim që depozitat e Durrësit t’u jepeshin me qira kompanive greke “Global Petrolium Albania” regjistruar më 23.7.1999 dhe “Mamidoil Albania”, themeluar më 11.3.1999, regjistruar më 8.4.1999.
PA U “FTOHUR HALLAVA”
Dhe tak e fak, pa u “ftohur hallava”, më 2 qershor 1999, u nënshkrua kontrata nr. 2721, lidhur midis Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit si qiradhënës dhe Shoqërisë “Mamidoil Albania”, si qiramarrës, për dhënie me qira objekti, sipërfaqe shesh i lirë prej 13 992 metra katrorë, në portin e Durrësit, me afat 20 vjet, me qëllim ngritjen e një qendre magazinimi karburantesh.
Kurse më 23 gusht 1999, u nënshkruan kontrata nr. 4032 lidhur midis Ministrisë së Ekonomisë si qiradhënës dhe shoqërisë “Global Petrolium Albania” si qiramarrës, për dhënie me qira objekti “Rezervuar karburanti nr. 1 dhe godinën e ekonomatit”, me sipërfaqe 8 650 metra katrorë, në degën e Rezervave të Shtetit, Durrës (agjencia e karburanteve), nga e cila nën objekt 2 602 metra katrorë, me afat 20 vjet, me qëllim ngritjen e një qendre magazinimi karburantesh.
Por kjo ngjarje nuk kaloi pa sherr. Në mbledhjen e këshillit drejtues të portit u zhvillua një debat i ashpër midis deputetit z. Spartak Braho dhe Ministres së Transportit, znj. Ingrid Shuli, që nuk kishte “takat” të kundërshtonte z. Majko.
Po ashtu, në korrespodencën konfidenciale dhe në studimet e veta, si Banka Botërore dhe kompanitë amerikane, por edhe Uashingtoni zyrtar u kanë kërkuar kryeministrave të mëpasëm z. Ilir Meta dhe Fatos Nano anulimin e kontratave të qirave, që pengonin jo vetëm zhvillimin e portit, por rrezikonin seriozisht qytetin e Durrësit (sipas një skenari apokaliptik, ekspertët amerikanë kanë paralajmëruar, në rast shpërthimi të depove, gjysma e plazhit, rruga hyrëse në qytet paralel me depozitat si dhe dy kullat binake në afërsi të portit hidheshin në erë dhe kishte mbi 20 mijë viktima).
Publikimi i këtyre fakteve dhe në gazetën e partisë në pushtet, kur ishte kryeredaktor z. Erion Braçe, shkaktuan një furtunë diplomatike midis Athinës dhe Greqisë, teksa u ushtrua trusni mbi z. Fatos Nano, i cili, u zbyth.
LËVIZJA
Vetëm pas 13 vjetësh, këtë situatë e ndryshoi z. Sali Berisha me Vendimin Nr. 61, datë 1.2.2012 “Për kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit, tek Autoriteti Portual Durrës, të pasurisë së paluajtshme “Zona e karburanteve”, në portin e Durrësit””
kalimin e pronës publike, me sipërfaqe gjithsej 36 116,78 (tridhjetë e gjashtë mijë e njëqind e gjashtëmbëdhjetë, presje shtatëdhjetë e tetë) metra katrorë dhe të ndërtimeve të ngritura mbi të, me vendndodhje brenda territorit të Portit të Durrësit, e njohur me emërtesën “Zona e karburanteve” në përgjegjësi administrimi nga Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit, në përgjegjësi të Autoritetit Portual Durrës.
Pasuria e paluajtshme me emërtimin “Zona e karburanteve”, t’u nënshtrohet përmirësimeve në dobi të zhvillimit të masterplanit, të miratuar me vendimin nr. 546, datë 28.5.2009 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e masterplanit për zhvillimin e Portit të Durrësit” dhe të zgjidhjeve efektive që rrisin rentabilitetin e portit.
BERISHA & RAMA PAGUAJNË KUSURE
Por ky vendim për transferimin e aktivitetit të shkarkimit të karburanteve në Porto Romano, u shoqërua me kosto financiare.
Më 20 mars 2013 Ministrisë së Drejtësisë i shtohej fondi prej 35 000 eurosh, për pagesat e tarifave avokatore të përfaqësimit (kësti i katërt), për çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar nr. ARB/11/24 “Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Products Societe Anonyme S.A., kundër Republikës së Shqipërisë”, që u zhvillua në ICSID (Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Konflikteve në Investimet).
Më 2 dhjetor 2012 iu shtuan 70 000 euro.
Më herët, më 16 maj 2012 iu shtuan 100 000 dollarë amerikanë.
Po atë ditë vendimi i dytë: edhe 70 000 euro.
“Mamidoil” ka dorëzuar padinë në ICSID më 12 shtator 2011, por seanca e parë është zhvilluar vetëm në 6 prill 2012 në Paris.
Borxhet e Berishës janë mbartur për Ramën.
Në mbledhjen e 9 korrikut 2014, Këshilli i Ministrave vendosi që Ministrisë së Drejtësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, t’i shtohet fondi 122 500 euro, për të përballuar pagesat e tarifave avokatore të përfaqësimit (kësti i gjashtë dhe i fundit); me një vendim të dytë Ministrisë së Drejtësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, t’i shtohet fondi 100 000 dollarë, për të përballuar pjesën e mbetur të shpenzimeve administrative të arbitrazhit ndërkombëtar për çështjen nr. ARB/11/24, “Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Societe Anonyme S.A. kundër Republikës së Shqipërisë”.
ENDE
Por Historia nuk është mbyllur ende.
Sipas nenit 10, të kontratës, qiramarrësi Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Societe Anonyme S.A detyrohet që t’i paguajë “qiradhënësit” detyrimin mujor në shumën 83 952 lekë.
Për periudhën nga data 1.1.2013 dhe deri më datë 31.10.2013, këtij subjekti nga APD-ja i është faturuar shuma gjithsej 839 520 lekë, nga e cila është arkëtuar shuma 503 712 lekë.
Nuk është arkëtuar shuma 335 808 lekë dhe kamatëvonesat sipas vendimit të Këshillit Drejtues.
Sipas nenit 9, të kontratës, qiramarrësi Global Petrolium Albania detyrohet që t’i paguajë qiradhënësit APD detyrimin mujor, në shumën 2 602 dollarë dhe 80 640 lekë.
Autoriteti Portual me shkresën nr. 3220, datë 4.12.2012, drejtuar shoqërisë Global Petrolium Albania, ka bërë faturimet për muajt tetor, nëntor e dhjetor 2012. Për periudhën nga data 1.1.2013 dhe deri më datë 31.10.2013, këtij subjekti nga APD-ja i është faturuar shuma gjithsej 26 020 dollarë, nga e cila është arkëtuar e gjithë shuma 26 020 dollarë dhe faturuar shuma 806 400 leke, e cila është arkëtuar plotësisht.
AVENTURA ME PËRMBARIMET
Por këto kompani greke, që kanë pësuar shndërrime të shumta gjatë këtyre 15 vjet ekzistencë në Shqipëri po përballen dhe me sekuestro konservative.
Kështu ndaj Global Petroleum Albania Shoqëri Anonime, me seli në Tiranë, rruga e Kavajës, G-Kam Business Centre, kati 4 (zyrat e Kalo & Associates), janë depozituar urdhri nr. 2396-12 regj. nr. 29985 prot, datë 5.10.2012 dhe urdhri nr. 2395-12 regj., nr. 29991 prot., datë 05.10.2012, lëshuar nga shoqëria “Shërbimi Përmbarimor ZIG”, për vendosjen e masës së sekuestros konservative në aktivet e dorëzanësit z. D. G., si dhe në kuotat që z. D. G., zotëron pranë shoqërive të tjera të regjistruara pranë regjistrit tregtar; urdhrit për vendosjen e sekuestros dt. 26.12.2012 të shoqërisë përmbaruese private "EPSA" ndaj debitorëve B. S., A. G., si dhe mbi të drejtat që rrjedhin nga zotërimi i këtyre kuotave duke ndaluar tjetërsimin ose disponimin e tyre si dhe ushtrimin e të drejtave që rrjedhin nga këto kuota; shkresa Nr. 05578 prot. datë 4.3.2013, lëshuar nga shoqëria shërbimi përmbarimor ZIG ku është bërë me dije, se qëllimi ligjor i bllokimit të aseteve të palës debitore, është mostjetërsimi i këtyre aseteve, për garantimin e ekzekutimit të urdhrit të ekzekutimit, vendimi nr. 1025 akti datë 13.06.2007, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; urdhrat nr. 1380 prot. datë 6.2.2013 dhe nr. 1387 prot. datë 6. 2.2013, lëshuar nga shoqëria përmbaruese "EPSA", për vendosjen e sekuestros mbi kuotat që zotërojnë debitorët K. G., A. G., A. A., si dhe mbi të drejtat që rrjedhin nga zotërimi i këtyre kuotave duke ndaluar tjetërsimin ose disponimin e tyre si dhe ushtrimin e të drejtave që rrjedhin nga këto kuota; urdhri nr. 2301 prot. nr. 1040 regj. datë 19.9.2013 të lëshuar nga shoqëria përmbarimore "BSA" mbi vendosjen e masës së sekuestros konservative në kuotat që zotëron z. A. G. në shoqërinë "Taiwan" në shoqërinë "Global Petroleum Albania" në shoqërinë "Global" në shoqërinë "A-3" në shoqërinë "B3A" dhe moskryerjen e asnjë veprimi tjetër që ndryshon të dhënat në regjistrin tregtar; shkresa nr. 2768 prot; nr. 1040 regj, datë 21.11.2013, lëshuar nga Shoqëria Përmbarimore “Bailiff Services Albania”, mbi vendosjen e sekuestros konservative në kuotat që zotëron A. G. në shoqërinë…”Global Petroleum Albania” …duke mos lejuar tjetërsimin e kuotave të tij, si dhe lejimin e shoqërive……”Global Petroleum Albania”, që të kryejë veprime që mund të ndryshojë të dhënat në regjistrin tregtar.
Ndaj Mamidoil Albanian shoqëri anonime, me seli në Tiranë, Rruga “Sami Frashëri”, pallati TID, hyrja H, kati 4, apt. 2 është depozituar urdhri nr. 1895 prot., datë 31.5.2013, lëshuar nga shoqëria përmbarimore gjyqësore private "Petani Bailiff’s Office", mbi vendosjen e masës së sekuestros konservative mbi aksionet që zotëron debitori subjekt Mamidoil Albanian me qëllim mostjetërsimin e tyre për t’u shmangur nga detyrimi për ekzekutimin e urdhrit nr. 4146 datë 26.12.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





