DURRËS, 13 shtator 2013 – E çuditshme, por fakt: Durrësi dhe Fieri kanë normat më të larta të varfërisë në Shqipëri në krahasim me mesataren 14,3 për qind, përkatësisht 16.2 në Durrës dhe 17.5 në Fier, ku kjo popullsi jeton me më pak se 35 euro në muaj për frymë. "Si pasojë e krizës globale financiare dhe situatës së përgjithshme makroekonomike lidhur me normat e ulëta të rritjes që nga viti 2008, varfëria në Shqipëri është rritur", u detyrua të pranojë zyrtarisht INSTAT-i, dy muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit 2013. “Dyrrah”-u po boton disa fragmente dhe një tabelë nga raporti i 12 shtatorit i INSTAT-it “Shqipëria: trendi i varfërisë 2002-2005-2008-2012”, i hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore.

EKSTREMISHT TË VARFËR

Pjesa e popullsisë, konsumi mujor real për frymë i së cilës është 35 euro, nën 4.891 lekë (me çmimet e vitit 2002), u rrit nga 12.4 për qind në 2008 në 14.3 për qind në vitin 2012. Në vitet e mëparshme, varfëria ka rënë nga 25.4 për qind në 2002 në 18.5 për qind në vitin 2005 dhe 12.4 për qind në vitin 2008. Kjo do të thotë se rreth 28.896 individë në shtesë të 373,137 individëve të varfër në vitin 2008 kanë rënë në varfëri. Popullsia ekstremisht e varfër, e përcaktuar si personat që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore, është rritur nga 1.2 për qind në vitin 2008 në 2.2 për qind në vitin 2012. Varfëria ekstreme kishte rënë nga 4.7 për qind në vitin 2002 në 3.5 për qind në 2005 në 1.2 për qind në vitin 2008. Në vitin 2012, varfëria ekstreme është rritur si në zonat urbane 2.2 për qind ashtu dhe në ato rurale 2.3 për qind.

ASHPËRSIA DHE HENDEKU

Treguesit e tjerë të varfërisë kanë pësuar gjithashtu rritje nga viti 2008. Dy tregues të tjerë alternativë, përveç shkallës së varfërisë (përqindja e të varfërve), janë hendeku i varfërisë dhe ashpërsia e varfërisë. Hendeku i varfërisë (nganjëherë referuar si thellësi e varfërisë) tregon se sa larg janë familjet nga linja e varfërisë. Ky tregues përftohet nga raporti i shumës së diferencave të konsumit të të varfërve nga linja e varfërisë për të gjithë të varfrit ndaj totalit të popullsisë, duke e shprehur atë si përqindje të linjës të varfërisë. Pra, një hendek varfërie prej 2 për qind do të thotë se shuma e përgjithshme që do t’u duhej të varfërve për të arritur nivelin e linjës së varfërisë është e barabartë me popullsinë shumëzuar me 2 për qind të linjës së varfërisë. Avantazhi kryesor i hendekut të varfërisë është se kontributi individual i një të varfëri në varfërinë e përgjithshme është më i madh sa më i varfër është individi. Treguesi i dytë alternativ është ashpërsia e varfërisë, përparësia kryesore e të cilit është ndjeshmëria e tij ndaj pabarazisë midis të varfërve. Ashpërsia e varfërisë merr parasysh jo vetëm distancën e të varfërve nga linja e varfërisë por edhe pabarazinë midis të varfërve. Kështu, të varfrit që janë më larg linjës së varfërisë kanë një peshë më të madhe. Hendeku i varfërisë është rritur nga 2.3 për qind në 2008 në 2.9 për qind në vitin 2012.

DREJT BREGDETIT

Në zonat bregdetare, të cilat kanë rritjen më të madhe në varfëri, 17.6 për qind e popullsisë është e varfër në krahasim me 13 për qind në vitin 2008. Rritja e përgjithshme e varfërisë u shoqërua me një rritje më të lartë të shkallës së varfërisë urbane. Varfëria nuk duket të jetë më vetëm një fenomen rural. Në vend të kësaj, varfëria është zhvendosur kryesisht në zonat urbane. Ndërsa popullsia rurale në varfëri ka rënë me rreth 12 për qind, popullsia urbane në varfëri është rritur me rreth 37 për qind. Shkalla e varfërisë në zonat rurale, është rritur nga 14.6 për qind në 2008 në 15.3 për qind në vitin 2012, ndërsa varfëria urbane u rrit nga 10.1 për qind në 13.6 për qind. Për më tepër, edhe brenda zonave rurale, shkalla e varfërisë është ulur ndjeshëm në zonat malore. Rritja e shkallës së varfërisë ka qenë e lidhur me rritjen e përqindjes së konsumit për ushqim dhe nevoja bazë, dhe me një rënie të konsumit për produkte jo-ushqimore, arsim dhe pajisje afatgjatë. Rënia e shpenzimeve të arsimit, rënia e konsumit real për frymë në vitin 2012 dhe rritja e konsumit për ushqim janë dukuri mjaft të zakonshme kur varfëria rritet. Pasi konsumi bie, përqindja e konsumit për ushqim në konsumin real për frymë pritet të rritet pasi individët do të sigurojnë fillimisht ushqimin duke qëndruar larg aktiviteteve të tjera.

SIPAS QARQEVE

Varfëria sipas qarqeve tregon se Qarku Elbasan dhe Gjirokastër kanë shkallën më të ulët të varfërisë, ndërsa Qarku Kukës ka shkallën më të lartë të varfërisë. Shkalla e varfërisë është 10.7 për qind në Elbasan dhe Gjirokastër dhe arrin në 21.8 për qind në Kukës. Përveç kësaj, qarqe të tjera të tilla si Berat, Dibër, Korçë dhe Vlorë kanë norma të ulëta të varfërisë në krahasim me mesataren e vendit. Qarqe të tjera si Lezha dhe Shkodra kanë nivele më të larta të varfërisë, përkatësisht 17.5 për qind dhe 15.7 për qind. Qarku Tiranë ka një normë të varfërisë shumë afër mesatares së vendit, 14.2 për qind. Qarqe të tjera si Durrësi dhe Fieri kanë norma më të larta të varfërisë në krahasim me mesataren, përkatësisht 16.2 për qind në Durrës dhe 17.5 për qind në Fier.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/