DURRËS, 8 nëntor 2014 –  “Ish-minatorët që sot përfitojnë 9,000 lekë trajtim të veçantë financiar do të shohin një rritje të madhe të të ardhurave të tyre, pasi falë këtij ligji rreth 75 për qind e tyre do të përfitojnë pension në masën 14,474 lekë në muaj. Pjesa tjetër, si edhe ata minatorë që do të dalin me këtë ligj në pension, do të përfitojnë pensione mujore akoma edhe më të larta, deri në masën 21,000 lekë në muaj”, kështu deklaroi në parlament Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, kur paraqiti projektligjin “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”.

Sipas z. Veliaj, projektligji për minatorët jo vetëm që ul moshën e daljes në pension me 5 vjet, por nga ana tjetër rrit përfitimet e të gjithë atyre ish-minatorëve, të cilët deri më tani kanë përfituar trajtim të veçantë financiar.

Duke iu përgjigjur pretendimeve të opozitës se me projektligjin në fjalë përfitojnë vetëm 150 individë, z. Veliaj publikoi listën e 3 840 minatorëve që preken nga ligji, të cilëve iu ulet mosha e daljes në pension, si dhe iu rriten përfitimet.

Në Durrës 163 ish-minatorë të minierës së qymyrgurit në Manzë përfitojnë ulje të moshës së daljes në pension dhe dyfishimin e pensionit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/