Një ngjarje tragjike ka tronditur Durrësin, ku 17-vjeçari Florian Saraçi humbi jetën më 3 prill gjatë orës së edukimit fizik në shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti”, si pasojë e një arresti kardiak.
Të prekur thellë nga kjo humbje, shokët e tij kanë realizuar një memorial në palestrën e shkollës, ku kanë vendosur portretin e Florianit dhe mbishkrimin “Flori jeton”.
Në vijim të homazheve, ata kanë organizuar edhe një moment simbolik, duke lëshuar në qiell balona të vogla të bardha, si shenjë lamtumire dhe kujtimi për mikun e tyre.
Po ashtu, shokët i kanë dedikuar edhe një këngë, përmes së cilës shprehin dhimbjen dhe mallin për 17-vjeçarin që u nda nga jeta shumë herët.





